• 19 maj 2007, dhjetë vjet më parë Juventusi kthehej në Seria A

    Publikuar: 19 May 12:01

    Sot Juventusi është skuadra e vetme në Europë,  që mund të fitojë tripletën. Në këtë kuadër suksesi të mundshëm të trefishtë, skuadra bardhezi ka bërë të vetën Kupën e Italisë, pret këtë fundjavë të sigurojë edhe matematikisht titullin kampion, ndërsa më 3 qershor do të luajë finale e madhe të Champions-it kundër Real Madridit, në Cardiff. Mirëpo, pikërisht dhjetë vjet më pare, Juventusi kishte të tjera horizonte, festuan rikthimin e tij në Seria A. Më 19 maj 2007, në sajë të fitores 5-1 ndaj Arezzo, skuadra e drejtuar asokohe nga Didier Deschamps siguronte edhe matematikisht promovimin në elitën e futbollit italian pas vetëm një viti në Seria B, ku përfundoi pas skandalit “Calciopoli”.

    Në fushë, atë ditë, ka qenë edhe Pavel Nedved, tani zv.president i Juventusit, por sidomos Buffon, Chiellini dhe Marchisio. Këta të fundit janë tre lojtarët e vetëm të mbijetuar nga ajo skuadër unike. Nën drejtimin e Deschamps, Juventusi siguroi rikthimin në Seria A duke pasur në përbërje shënuesin më të mirë të kampionatit, Del Piero (20 gola të shënuar), i cili përfundoi para Bellucci dhe bashkëlojtarit Trezeguet. Gigi Buffon i ka kushtuar një mendim në Instagram asaj dite: “Atë të mërkurë kemi festuar një fitore të madhe. Sot mendja më kthehet 10 vite më parë, duke m’u rikujtuar rënia në Seria B dhe rikthimi në Seria A. Prej asaj kohe kemi rishkruar historinë. Një histori e re, historia jonë”.


    Lexo postimet e tjera