Boks

Më 27-29 shtator, kampionati i dorezave zhvillohet në Shkodër

Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës do të zhvillohet më datat 27-29 shtator, Kampionati Kombëtar i Boksit për të rritur, aktiviteti më i rëndësishëm i sportit të dorezave në vendin tonë, që do të organizohet nga Federata Shqiptare e Boksit. Një aktivitet që pritet të jetë mjaft i fortë dhe me rivalitet, kryesisht mes boksierëve të Vllaznisë dhe Tiranës, që çdo vit kanë konkurruar mes tyre për titull, pa lënë mënjanë edhe skuadra të tjera si Teuta, Flamurtari apo Apolonia. Por skuadra shkodrane, duke qenë se është dhe organizatore e këtij eventi, pritet të jetë favorite, pasi do t’i zhvillojë sfidat para fansave të saj.

Nga Kampionati Kombëtar i Boksit për të rritur

Boksierët më të mirë nga e gjithë Shqipëria do të mbërrijnë në qytetin verior për këtë aktivitet, që gjithnjë ka dhuruar emocione, por edhe polemika. Klubi “Vllaznia” ka kohë që ka nisur përgatitjet për këtë event, duke marrë masat që gjithçka të jetë gati pas dy javësh, kur dhe zhvillohet kampionati. Boksierët shkodranë janë grumbulluar dhe kanë nisur prej kohësh përgatitjet, me synim fitimin e titullit të 21-të kampion në histori. Zhvillimi i këtij kampionati në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” pritet të ndiqet me interes edhe nga tifozët shkodranë, të cilët do të mbështesin gjithnjë i kanë ndjekur nga afër këto evente.

Më shumë nga Boks