Champions League

5 gjëra që mësuam nga fitorja 3-1 e Tottenham ndaj Real Madrid

Kampionët në fuqi të Europës, Real Madrid, morën një leksion futbollit nga Tottenham mbrëmjen e djeshme në “Wembley”. Kjo ka qenë humbja e parë e spanjollëve në fazën me grupe të Champions League që nga tetori i 2012-ës, kur Borussia Dortmund i mundi ata 2-1. Atë sezon skuadra gjermane arriti deri në finale (eliminoi Real-in në gjysmëfinale). A mund të ndodhë e njëjta gjë me “Spurs”? Nuk është një çmenduri ta thuash një gjë të tillë, duke parë lehtësinë me të cilën ata mposhtën ekipin e Zidane. Lojtarët e Pochettino kanë bërë një paraqitje të shkëlqyer në “Wembley”, por çfarë mësuam ne nga ky takim?

1 Harry Winks është një fenomen
Harry Winks është vetëm 21 vjeç dhe ky është vetëm sezoni i tij i dytë me Tottenham. Kjo është një gjë që nuk duhet anashkaluar, duke parë se në dy ndeshjet kundër Real Madrid, veçanërisht në “Wembley”, ai ka luajtur me sigurinë dhe pjekurinë e një lojtari veteran. Në një ndeshje ku luanin Luka Modric dhe Toni Kroos, Winks ka dominuar. Ka treguar se është një lojtar me vizion dhe ka mbrojtur shumë mirë. Gjithashtu, ai ka ndihmuar skuadrën edhe në ndërtimin e aksioneve, duke kompletuar 89% të pasimeve të tij. Momenti më i bukur i lojës së tij ka qenë pasimi i jashtëzakonshëm diagonal te Kieran Trippier pas 26 minutash lojë. Një lëvizje magjikë që ka nxjerrë jashtë loje Marcelo-n, me topin që ka shkuar te këmbët e Trippier, i cili ka futur topin në zonë ku Dele Alli ka shënuar. Një pasim perfekt që ndau në dysh mbrojtjen mike dhe i lejoi skuadrës së tij të shënonte golin e parë.

2. Real i pamotivuar
Kur rezultati ishte 0-0, Real dukej i çorientuar. Shkathtësia dhe aksionet e shpejta, që kanë qenë pikat më të forta të ekipit të Zinedine Zidane, kanë munguar në këtë ndeshje deri në momentin që anglezët kaluan në avantazh. Edhe pas avantazhit të vendasve, madrilenët kanë qenë të paqartë në lojën e tyre. Duket se pas dy triumfeve radhazi në Champions League (nuk e bënin një gjë të tillë që nga 1958-a) i ka hequr motivimin ekipit dhe tani duket se ata mendojnë se vetëm talenti i tyre do të mjaftojë për të fituar ndeshjet. Pjesa më e madhe janë afër të tridhjetave dhe nuk kanë më atë freski fizike si në vitet e kaluara. Sergio Ramos zakonisht dominon çdo kundërshtar në mbrojtje, por mbrëmjen e djeshme ai është vënë në vështirësi nga çdo lojtar i Tottenham që ka dalë para tij. Filozofia e Zidane është bazuar gjithmonë te talenti individual i lojtarëve të tij në sulm dhe te kroset. Kjo ka qenë loja e Real edhe kundër “Spurs”, por këtë herë yjet e “Los Blancos” nuk kanë luajtur me bindjen e zakonshme.

3. Dele Alli është Thomas Muller anglez
Dele Alli konsiderohet shpesh një mesfushor, pozicioni ku ai ka filluar karrierën e tij, por nuk do të ishte e saktë ta quaje atë një mesfushor tani. Aftësitë e Dele Alli janë: teknika, finalizimi dhe loja pa top. Pozicioni ku mund të shfrytëzohen në maksimum këto aftësi është ai i sulmuesit. Ai, në thelb, është Thmos Muller-i anglez. Ai është një mbrojtës dhe pasues i mirë, por jep maksimumin kur sulmon. Kjo është arsyeja pse Mauricio Pochettino e aktivizon shpesh para tre mesfushorëve. Ai mund të depërtojë nga mbrapa, por jep më shumë rezultate kur luan përpara. Këtë e ka treguar edhe goli i parë, kur ai ka dërguar topin në rrjetë pas krosit të Trippier dhe goli i dytë, kur ka marrë topin para mbrojtjes së Real Madrid dhe ka vrapuar menjëherë përpara, duke injoruar Christian Eriksen në krah dhe duke bërë atë që bën zakonisht çdo sulmues. Alli ka goditur portën dhe, falë një devijimi të mbrojtësit, ka shënuar, kur kishin mbetur edhe 15 minuta nga ndeshja, ai duhet të kishte shënuar golin e tij të tretë, por goditja e tij me kokë brenda zonës së rreptësisë nuk ka qenë e saktë. Gaboi, por pozicioni prej ku ai goditi, është pozicioni i një sulmuesi të pastër.

4. Trippier mori kontrollin
Në fillim të sezonit, ishte e qartë se Kieran Trippier dhe Setge Aurier do të luftonin për të marrë vendin e lënë bosh nga Kylian Ëalker. Aurier është përzgjedhur nga Pochettino në ndeshjet e rëndësishmë, duke përfshirë edhe ndeshje e lujatur në “Bernabeu”, ku ai krijoi golin e avantazhit të “Spurs”, por shkaktoi edhe penalltinë që solli barazimin e Real-it. Mbrëmjen e djeshme, Kieran Trippier tregoi pse e meriton ai të jetë titullar. Ai ka shkëlqyer kundër “Los Blancos”, duke dominuar në krahun e tij gjatë gjithë ndeshjes. Në mbrojtje nuk ka lejuar askënd të kalojë dhe ka qenë një kërcënim i vazhdueshëm për mbrojtjen e miqve me shpërthimet dhe kroset e tij nga krahu.

5. “Big Daddy” Kane
Harry Kane është një futbollist i klasit botëror dhe një nga sulmuesit më të mirë në planet. Kane ka qenë në dyshim për jëtë ndeshje, por Pochettino vendosi të rrezikojë dhe e aktivizoi nga minuta e parë, sepse ai është një element kyç i lojës së “Spurs”. Jose Mourinho i neutralizoi me lehtësi ata fundjavën e kaluar, kryesisht sepse Kane mungoi për shkak dëmtimi. Ai ka treguar forcën e tij, duke i shmangur mbrojtësit e Real-it si të ishin fëmijë. Ka kombinuar me shokët e ekipit dhe e vetmja gjë që nuk bëri ishte të shënonte, por nuk duhet harruar se vinte nga një dëmtim. Gjithsesi, ai ka qenë i përfshirë në realizimin e golit të parë, duke detyruar Sergio Ramos ta nxirrte topin në rivënie anësore dhe duke rivënë shumë shpejt topin në lojës. Më pas dha një asist të bukur për golin e tretë të realizuar nga Eriksen. Si Gareth Bale kundër Inter në 2010-ën, Kane prezantoi veten para syve të botës. “Big Daddy” Kane është i vërtetë.

Më shumë nga Champions League