Futboll

5 lojtarë për të cilët Real është penduar që i ka shitur

Real Madrid është një nga klubet më të mëdha në botë dhe ka në përbërje një numër të madh yjesh çdo vit. Ata njihen për “zakonin” e tyre për të blerë lojtarë të konfirmuar. Por edhe ata kanë bërë disa gabime, për sa i takon lojtarëve që kanë shitur. Disa prej yjeve aktualë të ekipit nuk kanë qenë aspak të kënaqur me vendimet e marra nga klubi. Sergio Ramos është njëri prej tyre; Cristiano Ronaldo, tjetri. Edhe ish-trajnerë kanë pranuar se kanë gabuar në shitjen e disa prej këtyre lojtarëve. Këto janë 5 gabimet që ka bërë Real Madrid në vitet e fundit:

 
Arjen Robben

Asnjeri me mend në kokë nuk do ta shiste një Arjen Robben në moshën 25 vjeç, veçanërisht kur ai po shkatërronte mbrojtjet kundërshtare në La Liga. Por Florentino Perez mori drejtimin e klubit dhe donte ta niste epokën e tij me një blerje “Galaktike”. Jashtë Robben, brenda Cristiano Ronaldo. Holandezi u transferua te Bayern Munich në 2009-ën dhe që nga ajo kohë është bërë një nga lojtarët më të mirë në botë. 5 tituj në Bundesliga, 1 Champions League dhe shumë finte marramendëse më pas, Robben është një nga gabimet më të mëdha të Real Madrid, që ka përftuar vetëm 23 milionë euro nga shitja e tij. Nëse do të kishte një shans tjetër, ka shumë mundësi që Real ta mbante në ekip 25-vjeçarin Robben. Imagjinoni një ekip me Ronaldo dhe Robben në sulm. Makthi i çdo mbrojtjeje, me përjashtim të asaj të “Los Blancos” kuptohet.

Sami Khedira

Sami Khedira ka qenë një nga mesfushorët shkatërrues më të mirë të Real-it në vitet e fundit. Gjermani bënte gjithë punën e pisët në mënyrë që lojtarë të tjerë si Ozil dhe Ronaldo të shkëlqenin. Leximi i tij i lojës ishte i jashtëzakonshëm, por ai shkonte në ndihmë të ekipit edhe në sulm kur ishte e domosdoshme. Një tjetër cilësi që vlerësohej shumë nga ish-trajnerët e tij në Madrid, ishte aftësia për të hapur lojën pas vjedhjes së një topi. Një mesfushor i kompletuar. Tek Juventus, Khedira është një titullar i palëvizshëm dhe ka fituar tre trofe deri tani. Duke parë mangësitë që kanë madrilenët në mesin e fushës këto kohë, nuk ka dyshim që do të donin ta kishin gjermanin në dispozicion.

Gonzalo Higuain

Kur Real Madrid vendosi të shesë Gonzalo Higuain, një numër i madh klubesh u vunë në radhë për argjentinasin. Ai ishte një nga sulmuesit më të mirë që ka pasur Real në dispozicion. Tri vite më pas mund ta kuptoni pse “Merengues” kanë bërë një gabim duke e lënë të largohet. Higuain sapo është larguar nga Napoli, klubi ku u transferuar nga Madridi, për t’u bashkuar me Juventus-in për 90 milionë euro, duke u bërë blerja më e shtrenjtë në historinë e futbollit italian. Higuain po argëtohet duke shënuar gola me vazhdimësi në Serinë A. Vitin e kaluar ai ka shënuar 38 gola për Napoli-n – vetëm Ronaldo ka shënuar me shumë, 40 me Real-in – dhe, nëse do të kishte qëndruar në Madrid, tani do të ishte duke bërë të njëjtën gjë për “Los Blancos”.

Angel Di Maria

Papritur, Real duket si një ekip që nuk arrin të krijojë raste. Nëse Luka Modric është i dëmtuar apo në stol, madrilenëve i mungon fantazia në qendër të fushës. Dhe kjo ka ndodhur pasi Angel Di Maria është shitur, me detyrim, te Manchester United. Real përfitoi një shumë të madhe parash nga ai operacion, por që nga ai moment ka ndier mungesën e vizionit të lojës së argjentinasit dhe shpërthimeve të tij nga mesi i fushës. Di Maria ishte një kërcënim i vazhdueshëm, në lojë me top dhe atë pa top, dhe Zinedine Zidane do të kishte parapëlqyer ta kishte në dispozicion. Di Maria tani luan me Paris Saint-Germain, pas sezonit zhgënjyes të kaluar në Angli, dhe ka gjetur platformën e duhur për të treguar talentin e tij. Ai është një lojtar kyç për Unai Emery dhe ka aftësinë për të shkëlqyer pavarësisht nga kundërshtari.

Mesut Ozil

Pyesni çdo tifoz të Real Madrid – dhe Sergio Ramos me Cristiano Ronaldo – nëse ndiejnë mungesën e Mesut Ozil dhe të gjithë do të thonë po. Fantazisti gjerman është bërë blerja më e shtrenjtë e Arsenal në 2013-ën dhe mund të thuhet me lehtësi se është gabimi më i madh i Real Madrid në sezonet e fundit. Edhe Carlo Ancelotti – trajneri i madrilenëve në atë kohë – ka pranuar se ka bërë një gabim duke e shitur lojtarin te skuadra londineze. Ozil ka fituar dy Kupa të Anglisë dhe dy Superkupa të Anglisë me “Topçinjtë” dhe është lojtari me numrin më të madh të asisteve qëkur i është bashkuar klubit.

Ozil ka qenë një nga yjet më të mëdhenj te Real Madrid, i aftë të krijonte raste nga e majta, e djathta dhe nga qendra. Dhe, mbi të gjitha, ai ishte një ndihmesë e madhe për Cristiano Ronaldo-n, i cili, në disa raste, dukej sikur kishte një lidhje telepatike me ish-lojtarin e Werder Bremen. CR7 nuk ka qenë aspak i kënaqur me shitjen e Ozil, ashtu si Sergio Ramos. Të dy ata besonin se skuadra do të ishte më e fortë me gjermanin, por Perez ka dashur të marrë në ekip një “Galaktik” tjetër dhe për ta bërë këtë ka qenë i detyruar të shesë disa nga lojtarët e tij. Jashtë Ozil, brenda Gareth Bale. Por, edhe një herë, imagjinoni Real-in aktual me Ozil në skuadër.

 

Më shumë nga Futboll