Seria A

5 maj 2002, deklaratat e Cordoba rindezin polemikat Inter-Juve

Ish-mbrojtësi i Inter, Ivan Ramiro Cordoba, është kthyer të flasë për eksperiencën e tij me zikaltrit, e mbushur me momente të bukura dhe të shëmtuara, si 5 maji apo “Calciopoli”. 15 vite më pas Crodoba ka rrëfyer një detaj që i është thënë nga ish-shoku i tij te kombëtarja Gonzalo Martinez dhe që ka lidhje me zgjedhjet e bëra në atë kohë nga trajneri i Udinese-s, Ventura, gjatë ndeshjes së 5 majit kundër Juventus. “Tashmë e kemi harruar, por kam një dilemë në kokë, një pjesë e imja më thotë të flas, tjetra jo. Duhet të rifreskojmë kujtesën. Nuk është se e kemi humbur titullin për këtë arsye, por janë kanë ndodhur disa gjëra… Luhej edhe Udinese-Juventus atë ditë… Kur dëgjon një shok të kombëtares që pas asaj ndeshje të thotë se katër titullarë (kanë qenë pesë: Pizarro, Pineda, Bertotoo, Gargo dhe Sottil) u dërguan në tribunë pa asnjë arsye…”.

“Ne nuk kemi fituar sepse nuk kemi patur përqendrimin e duhur sepse gjithçka ishte në dorën tonë. Por nëse nuk do të kishte patur shumë episode të tjerë, sipas mendimit tim gjërat do të kishin shkuar ndryshe”, ka thënë Cordoba. Në lidhje me “Calciopoli”-n: “Duket sikur ka qenë Inter fajtore për një nga momentet më tragjike të futbollit italian. Ajo që ka ndodhur në ato vite duhet të jetë një turp i futbollit italian, pikë. Të bësh atë që kanë bërë ato persona, të dish se shkon të shikosh një ndeshje, ndërsa të tjerët e dinë si do të përfundojë, nuk është e pranueshme. Nuk duhet ta harrojmë përndryshe këto gjëra përsëriten”.

Më shumë nga Seria A