Bundesliga

5 mln euro në vit për të rinjtë e Hoffenheim, “çmenduria” e fundit e kinezëve

Një bashkëpunim në 360 gradë. Kjo është ajo që po ndodh te Hoffenheim, klubi gjerman i Bundesliga-s, që ka mbyllur një marrëveshje të rëndësishme me Meizhou Hakka Foot­ball Club, një klub kinez që është në rritje të vazhdueshme. Ky bashkëpunim do t’i bëjë të gjithë të lumtur, sepse gjermanët do të kenë shuma të mëdha parash për t’i investuar te sektori i moshave, ndërsa aziatikët do të kenë mundësinë të mësojnë sesi menaxhohet një skuadër, një qendër sportive, lojtarët.

Në Azi janë parashikuar të shkojnë 5 përgatitës të Hoffenheim, që do t’u shpjegojnë kolegëve të Meizhou sesi përgatitet një sezon, si kontrollohen lojtarët, si stërvitet një skuadër. Në këmbim, klubi gjerman do të marrë deri në 5 milionë euro në vit për 10 vite, që do t’i investojë te ekipet e moshave. Nuk është një marrëveshje e rastësishme, sepse Hoffenheim është një nga klubet më aktivë në aspektin e risive teknologjike, në Gjermani dhe Europë. Është një fabrikë e vërtetë talentesh që rriten në mënyrë shkencore pa i lënë asgjë rastësisë.

Pikërisht kjo vëmendje e madhe ndaj detajeve është vlerësuar shumë në Kinë. Hoffenheim, në fakt, është një nga klubet e pakta në botë që përdor “Footbonaut”, një kafaz 14 metra i gjatë dhe 10 i gjerë, me bar sintetik, në të cilin gjuhen topa (deri në një shpejtësi maksimale prej 15 km/h), në lartësi të ndryshme. Një risi që ka shkuar deri në Azi. Klubi kinez i Meizhou ka kontaktuar menjëherë gjermanët dhe ka arritur një marrëveshje strategjike: po ndërton një qendër sportive prej 200 milionë eurosh, që do të ketë 14 fusha futbolli.

Më shumë nga Bundesliga