Connect with us

Ligue 1

5 talentet më të mirë të kampionatit francez

Ligue 1 është, dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim, një fabrikë që furnizon klubet kryesore (duke përfshirë edhe PSG) të Europës. Falë gatishmërisë për t’i besuar lojtarëve të rinj (plot 35 debutues nën 20 vjeç në këtë sezon) pa u menduar shumë, talentet francezë arrijnë, ndryshe nga sa bëjnë homologët e tyre italiane, spanjollë ose anglezë, të fitojnë eksperiencë për shkak të numrit të madh të ndeshjeve që luajnë në moshë të re. Kjo tenedencë është verifikuar edhe në sezonin aktual të kampionatit francez dhe talentet premtues nuk mungojnë. Ja cilët janë ata:

“Donnarumma” i Francës quhet Alban Lafont
Duke u bazuar te historia e portierëve me ngjyrë të Francës (Lama dhe Mandanda) 17-vjeçari i Toulouse Alban Lafont ka hedhur kandidaturën e tij, me lejen e Lloris, për të qenë numri një i ardhshëm i “Blues”. Lojtari me origjinë nga Burkina Faso, i cili ka debutuar në kategorinë kryesore të futbollit francez vitin e kaluar në moshën 16 vjeç e 310 ditë, sot është titullar i padiskutueshëm i ekipit të Toulouse që luan për një vend në Europa League. Ndër të tjera, me 1.710 minuta nga 1.710 në dispozicion, është portieri i vetëm Under 19, bashkë me Donnarumma, që nuk ka humbur asnjë minutë të këtij sezoni. Domethënë, shifra aspak të këqija për një djalosh me cilësi të jashtëzakonshme, i cili, brenda një kohe të shkurtër, mund të bëhet një nga portierët më të mëdhenj dhe më të kërkuar në Europë.


Malang Sarr, një veteran 17-vjeçar

Në Nice-n e mrekullive, në vendin e parë në renditje me një avantazh prej dy pikësh ndaj Monaco-s, ka shumë sekrete që nuk janë fshehur mirë. Një nga këta është 17-vjeçari Malang Sarr, qendërmbrojtës francez, i cili, bashkë me shokun e tij të repartit, brazilianin Dante, po udhëheq lart skuadrën e Mario Balotell-it, teksa mbrojtja e kuqezinjve është ajo që ka pësuar më pak gola (13) në këtë sezon të kampionatit francez. Një rezultat me të vërtetët i shkëlqyer për Sarr, i cili ka dhënë kontributin e tij me një mesatare prej 2.4 topash të vjedhur për ndeshje, 1.6 dyluftimesh të fituar dhe 3.8 topave të larguar, duke u pozicionuar në kreun e renditjeve të mbrojtësve më të mirë të Europës.

Mbappe, e ardhmja e Monaco
Kyilan Mbappe duket se është i përzgjedhur nga fati. Ai luan si sulmues krahu te Monaco dhe 20 dhjetorin e kaluar ka mbushur 18 vjeç. Konsiderohet si një nga talentet më të pastër që janë parë në këtë fazë të parë të kampionatit francez. Finte, fantazi, forcë fizike, teknikë dhe një shpejtësi e madhe janë karakteristikat që kanë shtyrë pikërisht trajnerin Jardim t’i besojë më rregullisht numrit 29-të, që, nga ana e tij, e ka falënderuar me 6 asiste dhe 6 gola në 15 ndeshje. Një futbollist fantastik, i cili nuk mund të bëjë gjë tjetër përveçse të përmirësohet me kalimin e viteve.

Thomas Lemar, shigjeta e Guadalupes
Duke mbetur te Monaco, në një rol të ngjashëm me atë të Mbappe, por në krahun e kundërt gjejmë lojtarin e lindur në ishullin francez të Guadalupes Thomas Lemar. 21-vjeçari, i cili ka qenë pjesë e rotacionit të trajnerit Jardim edhe vitin e kaluar, duket se ka arritur pjekurinë në këtë sezon falë një rendimenti të vazhdueshëm në nivele të larta, që ka sjellë 5 asiste dhe 8 gola të shënuar në 26 ndeshje mes kampionatit dhe Champions League. Me pak fjalë, kemi të bëjmë me një lojtar që është gati dhe që ka shumë adhuruar në Europë, teksa kartoni i tij ka një vlerë prej 14 milionë eurosh.

Jean-Kevin Augustin, i joshur dhe i braktisur
Emri i fundit i talenteve premtues të futbollit francez është ai i sulmuesit të PSG Jean-Kevin Augustin. 19-vjeçari që, pasi ka dalë në vendin e dytë në Youth League të sezonit 2015/16 dhe pasi ka dominuar me Francën Under 19 turneun e kaluar europian të kësaj kategorie me 6 gola të shënuar, mendonte se meritonte pak më shumë hapësira në ekipin e parë. Hapësirë që, edhe për shkak të blerjes së Jese Rodriguez, nuk ka ardhur. Pavarësisht se është aktivizuar vetëm 189 minuta në total, numri 29 ka arritur të japë kontributin e tij në fitoret e arritura nga PSG kundër Caen dhe Nantes me 1 gol dhe 2 asiste.



 

Më shumë nga Ligue 1