Premier League

7 gola dhe dy përmbysje. Arsenal fiton ndeshjen e çmendur kundër “Dhelprave”

Rikthehet Premier League, rikthehet futbolli spektakolar. Madje, futbolli i çmendur. Kjo është e vetmja fjalë që mund të përshkruajë takimin e zhvilluar mbrëmjen e sotme në “Emirates Stadium” mes Arsenal dhe Leicester. Një takim ku janë realizuar shtatë gola, dy përmbysje dhe në fund ka pasur një fitues. Alexandre Lacazette ka zhbollkuar takimin pas vetëm dy minutash lojë. Por gëzimi i vendasve ka zgjatur vetëm tri minuta, me “Dhelprat” që kanë arritur të barazojnë në minutën e pestë me Okzazakit, i cili është shërbyer nga Maguire. Njëzetekatër minuta më vonë miqtë kanë realizuar përmbysjen e papritur. Këtë herë autori ka qenë Jamie Vardy. Në minutat e fundit të pjesës së parë ka ardhur kundërpërgjigja e “Topçinjve”, të cilët kanë barazuar me Iëobi.

Ky ekuilibër ka zgjatur deri në minutën e 56-të kur Vardy ka realizuar golin e tij të dytë personal dhe të tretin për miqtë. Ky ka qenë edhe goli i pestë për sulmuesin anglez kundër Arsenal, “viktima” e tij e preferuar bashkë me Liverpool. Londinezët kanë shkuar afër golit të barazimit në disa raste, por nuk kanë arritur të finalizojnë në mënyrën e duhur, të paktën deri në minutën e 83-të, kur një pasim i bukur i Xhaka ka nxjerrë Ramsey-in vetëm përpara portierit Schmeichel dhe mesfushori uellsian nuk ka gabuar. Dy minuta më vonë ka ardhur përmbysja e dytë e ndeshjes, këtë herë nga vendasit, të cilët kanë shënuar golin e katërt me Giroud pas një goditje nga këndi.

Francezi ka realizuar golin e tij numër 50 për Arsenal në “Emirates” dhe të 7 si zëvendësues që nga gushti i 2016-ës; tre më shumë se çdo lojtar tjetër. Arsenal ka marrë tri pikë të rëndësishme në fund të një ndeshjeje të jashtëzakonshme, por nëse dita e mirë duket që në mëngjes ka shumë mundësi që ky sezon i Premier League të na dhurojë të tjera ndeshje të çmendura si kjo.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Premier League