Kampionati Shqiptar

8 vite pa Panajot Panon, Partizani e kujton me një video emocionuese

Dje u mbushën 8 vite, që Panajot Pano, një nga figurat më të njohura të futbollit shqiptar dhe Partizanit, ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare në Jacksonville, Florida, SHBA. Pano, i cilësuar si legjenda e futbollit shqiptar përgjatë karrierës së tij 18- vjeçare si futbollist, me performancën e shkëlqyer dhe golat e shënuar, ka dhuruar emocione të paharrueshme për publikun shqiptar. Me fanellën e Partizanit, Pano, në 210 ndeshje të luajtura, do të realizonte plot 136 gola, duke fituar me të kuqtë 4 kampionate dhe 5 kupa, ndërsa me përfaqësuesen e Shqipërisë, ai regjistroi 24 ndeshje, duke shënuar edhe 4 gola.

Një karrierë e shoqëruar me shumë lavdi dhe mjaft tituj individual përfshirë: “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Lojtari më i mirë i të gjitha kohërave” – akorduar nga FSHF në vitin 2003, “Lojtari i Shekullit” – akorduar nga UEFA/FIFA, “Nderi i Kombit” – akorduar nga ish-presidenti Republikës, Bamir Topi, në vitin 2009, “Simboli i qytetit të Tiranës” – akorduar nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, në vitin 2017.

Figura e Panajot Panos vazhdon të kujtohet gjatë, sidomos për golat e paharruar, të cilët mbeten ngahera të gdhendur në historinë e futbollit shqiptar dhe në kujtesën e tifozëve e sportdashësve. Ai kujtohet si një legjendë e gjallë e sportit shqiptar. Kujtimi dhe emri i tij mbetet gjithmonë i paharruar në mendjet dhe zemrat, sidomos të tifozërisë së Partizanit, skuadër me të cilën fitoi gjithçka, duke shënuar një dominim absolut të asaj periudhe në futbollin shqiptar.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar