Bundesliga

A do të rikthehet Kroos te Bayern? Ja përgjigjja e tij

Toni Kroos ka qenë gjithmonë një lojtar i klasit botëror, por Real Madrid është klubi ku ai është shndërruar 100% në një mjeshtër të vërtetë të mesfushës, duke kultivuar reputacion. Në vitin 2014, gjermani u largua nga Bayern (duke kërkuar rritje page) për t’u transferuar në “Santiago Bernabeu”, ku në tre sezone ka luajtur gjithsej 145 ndeshje. Kontrata e tij aktuale me madrilenët vlen deri në vitin 2022 dhe, siç ka rrëfyer në një intervistë të fundit, ai nuk ka ndërmend të kthehet më në Gjermani.

“Në Bundesligë padiskutim që nuk do të luaj më. Ai kapitull është mbyllur. Nuk mund ta imagjinoj veten duke u rikthyer te Bayern. Nuk ka për të ndodhur, kështu që në Gjermani nuk kam asnjë alternativë tjetër”, – është shprehur Kroos, i cili në vitin 2014 u shpall kampion bote me “pancerat”. Dashuria për Real Madrid-in nuk mbyllet me kaq. Kroos parashikon që të rinovojë sërish me klubin e bardhë dhe kjo nuk do ndonjë argument për t’u kuptuar. “Nuk mund të them se ç’do të ndodhë pas pesë vitesh, por synimi është të qëndroj këtu.”

 

Më shumë nga Bundesliga