Futboll

Abracadabra, Mezani me shkop magjik apo dështim kolosal i trajnerëve të huaj?

Abracadabra, luani! Futbolli nuk mund të jetë kaq i thjeshtë, pavarësisht se nga shkallët e stadiumit duket se është sikur 1+1 bëjnë dy. Të gjithë janë specialistë e kanë një vizion të paparë për pasimin e shkurtër dhe vertakilizimin e gjatë. Në fund, të sharat janë primare për lojtarët në fushën e lojës që nuk janë në nivelin e mendjes së tifozëve. Në fakt, teorikisht nuk mund të ketë magji në futboll, përjashto ndonjë Ibrahimovic, praktikisht Luftëtari i Gentian Mezanit na bëri të besojmë të kundërtën.

Tekniku e mori ekipin gjirokastrit dy ditë para ndeshjes me skuadrën e Teutës dhe fitoi me rezultatin 3-1. Një sfidë ku futbollistët shpalosën gjithçka kishin dhe pija magjike që u kishte rezervuar numri një i stolit u kishte dhënë efekte. Largimi i Milos Kostic ishte zgjedhje e mirë dhe mund të themi se u bë në kohën e duhur. Slloveni ishte një dështim kolosal në Shqipëri, i njëjti si shumë të tjerë që kanë ardhur me bujë e janë larguar pa nam as nishan.

Nuk duhet të tregohemi utopikë, Mezani nuk e ka shkopin magjik, e asnjë nga trajnerët tanë. Madje, duhet pranuar, se nuk janë të një niveli europian, por problemi është se ne se kemi as futbollin e tillë. Si është vendi bëhet kuvendi, prandaj boll me politika të dështuar dhe t’i hedhim hapat me kujdes. Luftëtari ka dy vite që gabon, duhet të zërë mend. Vjet ishte eksperimenti me urguaianët që suksesin më të madh në karrierën kanë ekipin shqiptar, ndërsa sivjet Kosticin. Trajnerët shqiptarë janë shumë të irrituar kur shohin mënyrën e trajtimit të teknikëve të huaj dhe diferencimin me ta dhe kanë gjithmonë një pyetje vetëmbrojtëse: “Kush nga këto mjeshtrat e huaj pati sukses?”. Kanë të drejtë, asnjë nga trajnerët e huaj nuk ka patur sukses në vendin tonë. Mos harroni, Zlatko Dalic u largua si i paaftë, pavarësisht poezive që i thurëm në botëror.

Më shumë nga Futboll