Futboll

Ada nis të plotësohet, vijnë Markolaj, Vecaj dhe Dedvukaj

Lajme të mira për ekipin e Adës. Pas ardhjes së pesë koreano-jugorëve, radhët e tij po plotësohen edhe me lojtarë të tjerë cilësorë. Kështu, ditët e fundit me velipojakët është bashkuar në stërvitje edhe mesfushori i ardhur nga Vllaznia, Stivi Vecaj. Ai madje ka qenë edhe autor i golit të vetëm në ndeshjen miqësore të luajtur ndaj Besëlidhjes. Po ashtu, nga dita e nesërme me të do të bashkohet edhe mesfushori tjetër, që do të vijë edhe ai nga Vllaznia, Paulo Markolaj. Megjithatë, prurjet për Adën nuk do të ndalen këtu. Nga dita e nesërme me këtë skuadër do të bashkohet në stërrvitje edhe futbollisti shqiptaro-amerikan, Lindon Dedvukaj.

Ada-Vllaznia

Ada-Vllaznia para një ndeshje miqësore në janar të këtij viti

Ai nuk arriti të gjente hapësirat e duhura te Vllaznia, me të cilën u stërvit javën e kaluar dhe tashmë do të provojë fatin e tij tek Ada. Ai është 22 vjeç, luan si mesfushor qendre dhe dy sezonet e fundit ka luajtur në Maqedoni me ekipet e Renovës dhe Gostivarit. Në këtë mënyrë, skuadra e Adës ka nisur të konfigurohet. Bashkë edhe me Pelinkun e ardhur nga Tërbuni dhe portierin Gjergji të ardhur nga Mamurrasi, numri i futbollistëve cilësorë është shtuar, megjithatë, në ditët në vijim priten edhe lojtarë të tjerë dhe kësisoj do të jetë trajneri Noga më pas që do të vendosë për ata që do të mbajë dhe ata që do të largojë.

Burimi: Gjergj KOLA (Shkodër)

Më shumë nga Futboll