Kategoria Superiore

Adnan Haxhaj: Ja pse e lashë Prishtinën dhe zgjodha Vllazninë

Firma e tij është e pesta në merkaton e Vllaznisë për këtë verë. Ajo i përket Adnan Haxhajt, qendërmbrojtësit 27 vjeçar, që prej disa sezonesh ka qenë pjesë e ekipit të Prishtinës, megjithatë, ai ka vendosur të ndryshojë “strehë”. Ka mbërritur paraditen e sotme në Shkodër dhe pasi ka mbyllur gjithçka sa i takon kushteve të kontratës me drejtuesit e klubit kuqeblu, ka shkuar më tej, duke hedhur firmë në kontratë. Ajo do të jetë dyvjeçare dhe palët janë dukur të kënaqura me arritjen e marrëveshjes.

kalamishi dhe haxhaj

Administratori i Vllaznisë, Neritan Kalamishi, dhe blerja më e fundit, Adnan Haxhaj

Pasi e ka kryer edhe këtë procedurë, Haxhaj më pas është prezantuar para medieve nga ana e administratorit Neritan Kalamishi dhe trajnerit Luan Zmijani. I pari ka thënë se kishin kohë që e ndiqnin këtë lojtar dhe njëkohëisht ka siguruar tifozët kuqeblu se nuk do të jetë i fundit. “Haxhajn kemi kohë që e ndjekim dhe tashmë kemi arritur marrëveshjen për të qenë pjesë e Vllaznisë për dy sezonet e ardhshme. Jemi të lumtur që do ta kemi pjesë të skuadrës sonë, por besoj se edhe Adnani do ndihet mirë në radhët e saj dhe në Shkodër. Gradualisht po plotësojmë të gjitha kërkesat e trajnerit Zmijani, megjithatë besoj se do të realizojmë edhe 3-4 goditje të tjera në merkato”.

haxhaj, kalamishi dhe zmijani

Kosovari Adnan Haxhaj mes administratorit Kalamishi dhe trajnerit Zmijani (Fotot: GJ.KOLA)

Vetë lojtari i sapoardhur, në prononcimin e tij të parë si futbollist i Vllaznisë, është shprehur: “Jam i lumtur për zgjedhjen e bërë. Natyrisht, të vish te Vllaznia ëshhtë kënaqësi për çdo futbollist, sepse është një emër i madh i futbollit shqiptar. Kam luajtur për gjashtë vite me radhë tek Prishtina dhe e kisha të vështirë të ndahesha prej saj, por më bindi oferta e skuadrës shkodrane dhe ambiciet e saj për të ndërtuar një ekip konkurrues. Premtoj të bëj më të mirën për të, që ajo të arrij objektivat që ka”. Adnan Haxhaj është larguar sërish drejt Kosovës ditën e djeshme, për t’u kthyer menjëherë pas Festës së Bajramit dhe për të vijuar rrugëtimin e saponisur me ekipin e Vllaznisë.

Burimi: Gjergj KOLA (Shkodër)

[total-poll id=51905]

Më shumë nga Kategoria Superiore