Basketboll

Akuza e Arben Fagut: Federata po dëmton garën

Partizani në basketboll për meshkuj me afrimet që bëri në merkato formoi një nga ekipet më të forta në Superligë, por që gjithësesi rezultatet e vazhdueshme pozitive nuk kanë ardhur ende. Në javën e fundit, Partizani nuk ia doli që të fitonte përballë Teutës, në një sfidë për vendin e dytë në klasifikim. Duke folur për këtë ndeshje, tekniku i të kuqve, Arben Fagu u shpreh se edhe në takimin me skuadrën bregdetare, Partizanit i mungoi agresiviteti dhe përqëndrimi maksimal. Ai tha se tashmë këto gabime janë identifikuar dhe se po punohet që të eleminohen gjatë stërvitjeve intensive që skuadra po bën. “Humbjet gjithmonë krijojnë probleme. Natyrisht që nuk është vetëm humbja me Teutën, pasi tashmë bëhen dy rradhazi, pas dhe asaj me Tiranën. Kështu dihet që kur humbet të krijohen probleme te reja, por ajo që ne po punojmë, është që pikat e dobëta tonat duhet t’i përmirësojmë”, tha Fagu.

Nga ndeshja e basketbollit Teuta-Partizani

Por në prononcimin e tij për “TeleSport”, tekniku i Partizanit nuk mund të linte jashtë vëmendjes së tij edhe Federatën Shqiptare të Basketbollit. Arben Fagu u shpreh se me anë të arbitrave dhe presioneve të shumëllojshme, Federata ka ndikuar për keq në shumë ndeshje të Partizanit. Më tej në fjalën e tij, Fagu ka sulmuar shumë ashpër, FSHB-në. Trajneri i të kuqve në basketbollin e meshkujve ka folur edhe për një paracaktim të kampionatit dhe të rezultateve të shumë ndeshjeve dhe se gjithë ky organizim i Federatës kundër skuadrës së Partizanit e ka burimin tek inatet e vjetra personale, të cilat ndikojnë shumë keq në mbarëvajtjen e këtij sporti.

Ne dihet tashmë që nuk luajmë vetëm kundër kundërshtarëve në fushë, por edhe kundër gjyqtarëve. Dhe më vjen keq që këta gjyqtarë orientohen gjithmonë kundër Partizanit dhe mendoj se do të jetë ndonjë keqdashje e njerëzve që drejtojnë Federatën se sa vendime personale të arbitrave, pasi ne i njohim pak a ashumë të gjithë dhe nuk ka arsye nga ata. Qëndrimi Federatës ndaj Partizanit duket që në fillim, kur marrim ne lojtarë të rinj, me procedurat kohën dhe të gjitha, ndryshe me ne dhe ndryshe ekipet e tjera. Natyrisht që në Shqipëri niveli i ulët i të menduarit çon gjithmonë në inate personale dhe ata që drejtojnë Federatën mendojnë se janë ata të plot fuqishmit dhe mund të bëjnë ç’të duan, por unë mendoj se kjo është injorancë dhe është shumë për të ardhur keq”, shtoi Fagu, që dy vite më parë ka qenë kandidat për kreun e Federatës Shqiptare të Basketbollit, ku në zgjedhjet e fundit ishte përballë kreut aktual të kësaj federate, Avni Ponari. Në kampionat, Partizani aktualisht mban vendin e tretë, pas Tiranës dhe Teutës.

Intervistoi: Ardit Hoxha


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Basketboll