Champions League

Allegri: Na duhet përqendrim maksimal ndaj Monaco-s

 

Monaco-Juventus është njëra nga gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Pasi kaluan me sukses Barcelonën, bardhezinjtë e Torinos do të vihen përballë francezëve të Principatës në turin vijues të këtij kompeticioni. Ndaj Monaco, kampionët e shumëfishtë italianë kanë luajtur edhe para dy vitesh, duke fituar 1-0 në Torino dhe barazuar 0-0 në Montecarlo. Trajneri Massimiliano Allegri ka shprehur mendimin e tij për kundërshtarin e radhës në Champions, duke lënë një status në rrjetet sociale: “Nuk është në kulturën e Juventusit për të nënvlerësuar një kundërshtar. Do të na duhet përqendrim maksimal”. 

Ndeshja e parë do të zhvillohet në “Louis II”, më 3 maj, ndërsa kthimi në “Juventus Stadium”, më 9 maj. Ekipi që fiton këtë duel do të presë “biletën” për në finalen e Cardiff-it, më 3 qershor. Përballja e fundit mes këtyre dy skuadrave ishte në prill 2015, kur Juventusi e eliminoi Monacon në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Bardhezinjtë u imponuan me rezultatin 1-0 në fushën e tyre, ndërsa në ndeshjen e kthimit, të dyja ekipet u ndanë në “paqe”, me barazimin 0-0. Juventus, pra, ka kaluar dy herë përmes Monacos në Champions, në gjysmëfinalet e sezonit 1997-1998 dhe çerekfinalet e sezonit 2014-2015.

Në gjysmëfinalet e sezonit 1997-1998, ndeshja e parë përfundoi 4-1 në favor të Juventusit, ndërsa “Zonja e Vjetër” fitoi edhe përballjen e kthimit, me rezultatin 3-2. Monaco, gjithashtu, nuk ka eliminuar asnjë skuadër italiane në një gjysmëfinale europiane, pavarësisht katër përballjeve paraardhëse: Sampdoria (1989-1990), Milani (1993-1994), Inter (1996-1997) dhe Juventus (1997-1998). Juventusi ka shkuar gjithmonë në finale, kur është takuar me një kundërshtar francez në gjysmëfinale: Bordeaux (1984-1985), PSG (1992-1993), Nantes (1995/96) dhe Monaco (1997-1998).

Më shumë nga Champions League