Formula 1

Alonso: Në teste u fshehëm, do të jemi kompetitivë në Australi

Pavarësisht problemeve të evidentuara gjatë testeve dimërore të zhvilluara në Barcelonë javën e kaluar, piloti spanjoll i McLaren, Fernando Alonso, shprehet me optimizëm për të ardhmen dhe e sheh me një sy tjetër paraqitjen e makinës britanike në prag të sezonit të ri në Formula 1. “Testet dimërore përfunduan. Patëm disa probleme, por në fund e kompletuam programin që kishim përgatitur. Në ditën e fundit u përpoqëm edhe te jepnim disa kohë të shpejta dhe mbetëm të kënaqur, pasi gjërat ishin në drejtimin e duhur. Madje mund të shprehem se nuk shfaqëm të gjithë potencialin. Mendoj se të gjithë u fshehën në këto teste dhe pak a shumë këtë gjë bëmë edhe ne. Të shohim se çdo të ndodhë në Australi, në garën e parë”, tha Alonso.

Piloti spanjoll i McLaren, Fernando Alonso

Më tej, piloti spanjoll i McLaren, 2 herë kampion bote në Formula 1, shtoi: “Mendoj se makina e re MCL33 mund të japë rezultate edhe më të mira krahasuar me ato që regjistruarm gjatë testeve në pistën e Montmelo. Tani kemi 10 ditë të rëndësishme për të kaluar në fabrikë, për të përmirësuar disa gjëra dhe për të përgatitur garën e parë. Në Australi, kur të gjithë të japin maksimumin në pistë, do të kuptojmë se ku jemi, por mendoj se edhe për ne kjo periudhë testesh ishte e mirë. Inxhinierët kanë bërë një punë fantastike me motorin edhe pse patëm disa probleme, ndaj tani mezi pres të provoj makinën në garën e parë sezonale”, deklaroi Fernando Alonso, që këtë vit synon të rikthehet te fitorja në kampionat.

Më shumë nga Formula 1