Formula 1

Alonso: Qëndroj në Formula 1 vetëm për një projekt fitues

Fernando Alonso nuk ia mbyll derën mundësisë për të qëndruar te McLaren edhe sezonin e ardhshëm, por gjithçka do të varet nga fakti se sa kompetitive do të jetë makina britanike, që përdor motorin Honda. Piloti spanjoll, tashmë 36 vjeç, në një intervistë për CNN ka thënë se e ardhmja e tij është ende një enigmë. “Vazhdimi me McLaren varet nga fakti se sa kompetitivë do të jemi në pistë. Të gjithë kanë idetë e tyre për këtë çështje, unë kam idetë e mia. Formula 1 është ende një prioritet për mua, është vetë jeta ime dhe të fitoj titullin kampion është e vetmja gjë që ëndërroj. Por nëse nuk shoh një projekt bindës, që më jep mundësinë për të dueluar për titullin, atëherë do të shoh alternativa të tjera jashtë Formula 1”, tha Alonso.

Piloti spanjoll Fernando Alonso

Megjithatë, spanjolli i McLaren, dy herë kampion në Formula 1, ka thënë se vendimin përfundimtar nuk do ta marrë tani, por në fund të sezonit. “Në nëntor apo dhjetor do të marr një vendim, por deri atëherë do të shoh të gjitha alternativat, duke parë edhe ato oferta që do të më vijnë nga skuadrat e tjera. Por besoj se do të rikthehem fitues të paktën në një garë sezonin tjetër”, tha Alonso, që mbështet idenë e një divorci mes makinës McLaren dhe motorit japonez Honda. Mediat britanike thonë se McLaren mund të bashkohet sërish me Mercedes, për t’i marrë motorin vitin 2018. Ndërkohë që alternativa më e mirë për Alonso është rikthimi në garat Indy, aty ku debutoi këtë vit, në Indianapolis, në maj. “Më pëlqen si garë, mund të rikthehem. Gjithçka mund të ndodhë”, tha piloti spanjoll.

Më shumë nga Formula 1