Volejboll

Altin Demi merr drejtimin e Studentit pas largimit të Sakos

Altin Demi do të jetë trajneri i ri i skuadrës së Studentit në volejboll për meshkuj, pas largimit të Arben Sakos, që shkoi në Shijak për të drejtuar Erzenin. Sezonin e kaluar, demi kishte detyrën e zv.trajnerit, por tashmë do të drejtojë skuadrën studentore për sezonin e ri sportiv 2017-2018, që do të nisë pas 3 javësh.

Lajmin e ka konfirmuar klubi “Studenti” përmes një postimi në faqen e tij zyrtare “Facebook”, duke mos u shprehur për objektivat që ekipi kryeqytetas ka në kampionat. Sezonin e kaluar, Studenti doli në finalet e play off-it, por pa mundur dot të shpallet kampion, pasi u mund në finale nga Vllaznia.

Ky sezon i ri ka për të qenë i vështirë për Studentin, skuadrën që deri dy sezone më parë dominonte kampionatin e volejbollit për meshkuj, pasi ka disa largime nga skuadra, që mund ta dobësojnë ekipin. Gjithsesi, objektivi kryesor do të jetë një vend mes katër ekipeve më të mira dhe kualifikimi në fazën e play off-it.

Më shumë nga Volejboll