Kampionatet në Europë

Alves: Do të kthehesha te Barcelona që nesër, nëse më thërret

Dani Alves tha se do të kthehej te Barcelona që nesër, nëse gjigantët e La Liga-s do ta kontaktonin atë. Braziliani Alves u largua nga Barcelona për kampionët italianë të Juventusit në vitin 2016, pasi fitoi 23 tituj në “Camp Nou”.

Alves u bashkua me PSG-në e Ligue 1 në vitin 2017, por 34-vjeçari refuzoi të përjashtojë një rikthim te Barcelona, pavarësisht nga rrethanat e largimit të tij. “Barcelona është shtëpia ime, – tha ai për “Globo TV”. – Është e pamundur të thuash që nuk do të kthehesha. Unë do të kthehesha që nesër, nëse Barcelona do të më thërriste”.

Alves, i cili e ka ndihmuar PSG-në të fitojë titullin në Ligue 1 dhe “Coupe de la Ligue”, e ka shijuar këtë sezon, ndërsa kampionët francezë kërkojnë një tripletë të brendshme. Ai shtoi: “Nëse do të thosha se nuk e lashë Barcelonën me ndjenjë të lënduar, atëherë do të gënjeja. U largova pikërisht nga lëndimi, sepse mendoj se kam luftuar shumë për të krijuar një histori të shkëlqyer në Barcelonë. Kam lënë 23 tituj në 8 vite.

Përfundova duke u dhënë atyre rezultatet më të mëdha dhe pastaj nuk e respektuan historinë time. Drejtuesit katalanas donin që të kisha një lamtumirë, por u thashë jo, sepse e konsideroj atë vend shtëpinë time të përjetshme. Dhe kur një vend konsiderohet shtëpia jote, nuk duhet të thuash lamtumirë. Çfarë kuptimi ka lamtumira, nëse do të kthehesh?”

Më shumë nga Kampionatet në Europë