MMA

Amanda Nunes drejt operacionit, rikthehet në kafaz vitin tjetër

Amanda Nunes mbrojti tri ditë më parë titullin kampion bote të peshës “bantam” (pesha gjel) në artet marciale mikse, pasi mundi në UFC-215 rivalen Valentina Shevchenko me vendim jo-unanim të gjyqtarëve. Kjo ishte hera e dytë që sportistja braziliane mbronte titullin, por këtë herë ka qenë shumë e vështirë për Nunes të dalë fituese nga kafazi, në përballjen e zhvilluar në Kanada. Kjo është hera e dytë për të që triumfon ndaj Shevchenko, pasi ka fituar edhe në mars të 2016-ës. Dy ditë pas këtij duel, Nunes është shprehur se do të mungojë në pjesën e mbetur të sezonit dhe se do të rikthehet vitin tjetër. Shkak ështe një operacion që do të bëjë në fytyrë.

Nga sfida mes Nunes dhe Shevchenko

Nunes do të rregullojë rrugët e frymëmarrjes, të cilat e kanë penguar për një kohë të gjatë. “Mendoj se do të qëndroj ca kohë pushim dhe kjo nuk ka lidhje me duelin e fundit ndaj Shevchenko, por për shkak të problemeve që kam me frymëmarrjen. Ka raste që nuk arrij të fle natën për shkak të problemeve me sinozitin, ndaj do të marr një pushim dhe do të rikthehem vitin tjetër”, u shpreh Amanda Nunes, pa bërë me dije se cila mund të jetë rivalja e radhës. Por mediat amerikane shprehen se ajo mund të përballet në kafaz në shkurt të 2018-ës ndaj Raquel Pennington, e cila nuk duelon që prej nëntorit të kaluar, kur mundi një ish-kampione të botës si Misha Tate.

Më shumë nga MMA