RUSI 2018

Analiza e Grupit F, Gjermania kampione arrin me dyshime në Botëror

Gjermania e drejtuar nga Joachim Löw nuk duket se do të arrijë në maksimum, në Botërorin e Rusisë. Përkundrazi. Kampioni aktual i botës triumfoi të premten, kundër Arabisë Saudite (2-1), çka ishte fitorja e parë që nga tetori. Në pesë ndeshjet e mëparshme, tri barazime dhe dy humbje, një bagazh diçka shqetësues për një nga favoritët e mëdhenj për titullin.

Gjithçka dukej në rregull në ekipin gjerman deri disa kohë më parë. “Mannschaft” e përfundoi fazën kualifikuese të Kupës së Botës me plot fitore dhe numrat spektakolarë: 43 gola në favor dhe vetëm 4 kundër, në dhjetë ndeshje. Gjermania nuk ka humbur një ndeshje që nga gjysmëfinalja e “Euro 2016” kundër Francës, por miqësoret përgatitore para Botërorit kanë ngjallur disa dyshime.

Gjithçka filloi në muajin nëntor, kur Löw vendosi të luajë dy ndeshje të vështira kundër Anglisë dhe Francës, në të cilat mori dy barazime (0-0 dhe 2-2). Nuk iu dha shumë rëndësi rezultatit, por u vazhdua me miqësoret e marsit, kur Gjermania barazoi kundër Spanjës (1-1) dhe ra ndaj Brazilit në Berlin (0-1).

Edhe tani ka qenë një situatë jo fort bindëse. Në dy ndeshjet miqësore parapërgatitore të Kupës së Botës, dinamika negative e ka shoqëruar “Mannschaft”. Së pari, një humbje kundër Austrisë (1-2) dhe më pas një fitore e vështirë ndaj Arabisë Saudite (2-1). Një paraqitje apriori më e ulët se pritej, e bën Gjermaninë që të mos arrijë në Kupën e Botës me ndjenjat më të mira.

Përtej rezultateve, përveç kësaj, Joachim Löw ka parë se si dy nga vendimet e tij për Kupën e Botës kanë gjeneruar disa polemika. Përjashtimi i Leroy Sané nga lista e 23 lojtarëve dhe aktivizimi titullar të Manuel Neuer, pas periudhës së tij të gjatë të pasivitetit, përpara Ter Stegen, kanë shkaktuar një trazim në kombëtaren gjermane.

Është e qartë se loja e treguar nga Gjermania në muajt përpara Kupës së Botës është ajo që nuk pritej nga një prej favoritëve të qartë për titullin, por mbetet të shihet në ndeshjet e vërteta të Botërorit, në Rusi. Në fakt, problemet shtrihen edhe në kombëtaret e tjera të Grupit F.

Nuk është vetëm Gjermania, që ngre dyshime me miqësoret para Kupës së Botës. Tre rivalët e kampionëve të botës në fuqi, në fazën e grupeve, Meksika, Suedia dhe Koreja e Jugut, janë në një situatë të ngjashme. Suedia dhe Koreja e Jugut kanë arritur vetëm një fitore në pesë miqësoret e tyre të fundit, ndërsa Meksika nuk është shumë më mirë: dy fitore, një barazim dhe dy humbje, duke përfshirë një fitore të shkëlqyeshme kundër Danimarkës (2-0).

Nuk ka qenë përgatitja e ëndërruar, pra, për kombëtaret e një grupi që, përtej favorizimit të qartë të Gjermanisë, parashihet si një nga grupet më të barabartë në këtë botëror. Trajektorja e parregullt e katër ekipeve para se të mbërrijnë në Rusi ushqen ndjenjën se çdo gjë mund të ndodhë në Grupin F.

Më shumë nga RUSI 2018