• Analiza e ish-kapitenit: Partizanit nuk i duhen lojtarë sezonalë dhe episodikë

    Publikuar: 15 May 9:01

    Ish-kapiteni i Partizanit, Adnand Ocelli, ka bërë një analizë të situatës së të kuqve sot, pas zhbilancimit disi në raport me titullin, sidomos pas barazimeve radhazi në shtëpi me Kukësin dhe Laçin. Në një status të gjatë në Facebook, Ocelli jep mendimin e tij mbi atë që po ndodh në kampin e 15 herë kampionëve të vendit, të cilët kanë 24 vite pa titull: “Po ta shikosh se me kë barazoi Partizani, nuk është çudi, por mënyra se si barazoi tregoi që te të kuqtë ka diçka që nuk shkon, diçka që mungon, ai guxim për të bërë diçka më tepër e për të fituar. Kjo gjë u reflektua edhe me Laçin. Volume, por jo veprime të qarta, çalon finalizimi, por edhe ndërtimi e organizimi. Partizani e ka të vështirë të zgjidhë situatat me ekipe që luajnë tërësisht në bllok mbrapa, por s’ka dhe lojtarë për të tilla situata. Mungojnë lojtarët që të prodhojnë, që të driblojnë e të krijojnë suprioritet në numër; mungojnë lojtarët e krahut, që të jenë produktivë. Mungon një finalizues i mirëfillftë. Partiaznit i mungon ai lojtari, që mund të bëjë diferencën, që të zgjidhë situatën. E kam thënë edhe në disa artikuj më parë që pikët e lëna Partizani do t’i ndiejë në fund, pasi me barazim humbet pikë e jo fiton, gjë që tani vërtet ndihet.

    Lojtari më rezultativ, Ekuban, për mendimin tim nuk është një sulmues i mirëfilltë, qendërsulmues. Për atë që kam parë, edhe unë mendoj se te Partizani duhet të afrohen dhe të kontribuojnë për të jo çdodkush, por vetëm ata që mund t’u përgjigjen kritereve të këtij ekipi, vetëm ato karaktere që e ndiejnë peshën e këtij emri, të kësaj fanelle, të cilët sakrifikojnë dhe realizojnë objektivat e këtij klubi. Partizani nuk ka nevojë për lojtarë endacakë, që lëvizin san ë njërin klub në tjetrin çdo tre apo gjashtë muaj. Partizanit nuk i duhen lojtarë sezonalë dhe episodikë. Për këtë ka përgjegjësi stafi, si e ndërton dhe drejton ekipin, pasi buxheti nuk ka munguar. Partizanit i mungon një lider, i mungon ai që quhet “trajner në fushë”, i mungon lojtari me autoritet dhe personalitet. Këtu përsëri ka gabuar stafi, që në ndërtimin e ekipit për t’i shërbyer strategjisë së arritjes së objektivave. Mbështetja e presidentit nuk ka munguar, madje është shpërdoruar ajo. Këto janë opinione personale. Megjithatë, çdo gjë mbetet përsëri e hapur, edhe pse ndeshjet e mbetura favorizojnë Kukësin.

    Nuk falet më të gabohet në Vlorë, edhe pse dihet tradita e këtij klubi, trajneri i tij e njeh mirë filozofinë e Partizanit si dhe domosdo kërkon pikë për qëndrimin në Superligë. Siç bën Partizani llogaritje, kështu vepron edhe Kukësi me Skënderbeun. Partizani afroi Moggi-n, i cili në një artikull thoshte se këtë Partizan e bëra unë, kam pesë muaj që jam konsulent i presidentit. E pranueshme, por edhe kontraditore nga ana profesionale. Përse? Sepse thotë që këtë Partizan e bëra unë, se kam 5 muaj që punoj për këtë dhe, nga ana tjetër, vjen delkarata amatore, e cila kundërshton ato që thotë: Me Torasën nuk dilet kampion! Ore zotëri i një eksperience të madhe: o e njeh, o s’e njeh ekipin dhe lojtarët! Ose mos jep deklarata të tilla, sepse futbollin e njohin edhe shqiptarët! Një ekspert si ju në këto momente duhet ta motivojë ekipin dhe jo ta përçajë atë. Partizani nuk është i Juaji! Uroj të bëhet më mira dhe derisa shanset janë, shpresat nuk vdesin për ta parë përsëri Partizanin kampion…”


    Lexo postimet e tjera