Bundesliga

Ancelotti: Kush e fiton Champions-in? Bayern im!

Ancelotti: Kush e fiton Champions-in? Bayern im!

Pasi ka fituar Superkupën e Gjermanisë, trajneri i Bayern-it, Carlo Ancelotti, nuk është aspak i shqetësuar për presionin nga klubi, edhe pse miqësoret parasezonale i mbylli si mos më keq: 5 humbje, 1 fitore. “Klubi gjithmonë më ka mbështetur. Këtu ndihem si në një familje, ku të gjithë ecin në të njëjtin drejtim, duke nisur nga shoku im, Karl-Heinz Rummenigge. Ai është fantastik, një vëlla”, – është shprehur italiani për medien italiane.

I pyetur se kush do ta fitojë sivjet Ligën e Kampionëve, Don Carlo u përgjigj: “Bayern im, logjike. Nuk ka dyshime për fuqinë e skuadrës dhe cilësitë individuale. Bayern do të luajë një rol prej lideri në kampionat, Champions dhe çdo kompeticion ku do të marrë pjesë”. Gjithsesi, ai ua ka frikën disa skuadrave. “Real Madridi e ka fituar dy herë radhazi dhe ka lojtarë të jashtëzakonshëm. Barcelona ka ndryshuar trajner dhe do të nisë një epokë të re”, – shtoi tekniku.

Përveç dy skuadrave spanjolle, Ancelotti përmendi edhe tri skuadra angleze. “Chelsea është gjithashtu favorite. Antonio Conte arrin të përcjellë mentalitetin e tij prej luftëtari në gjithë skuadrën. Te Manchester City, ndërkohë, pas një viti me Pep Guardiolën, do të shihni rezultate. Manchester United ka fituar Ligën e Evropës me Jose Mourinho-n. Ata kanë traditë dhe nuk duhen nënvlerësuar”.

 

Më shumë nga Bundesliga