Futboll

Ancelotti s’e refuzon Milanin: Një ndeshje unë, një Montella

Ancelotti s’e refuzon Milanin: Një ndeshje unë, një Montella

Carlo Ancelotti ka bërë shaka në lidhje me thashethemet e fundit që e lidhin me Milanin. 58-vjeçari u shkarkua nga Bayern një javë më parë pas humbjes 3-0 ndaj PSG-së në Champions League dhe në medie është shkruar se destinacioni i tij i radhës mund të jetë “Djalli”, aty ku ka fituar gjithçka në kohën e ish-presidentit Silvio Berlusconi.

Trajneri aktual i kuqezinjve, Vincenzo Montella, e sheh veten në rrezik, sepse Milani i tij është i shtati në Serie A. Megjithatë, i pyetur nëse ka frikë se Ancelotti do t’ia zërë vendin, ai është përgjigjur se do të ishte i lumtur ta kishte si ndihmës. Sigurisht, me shaka.

“Montella tha se do të donte të ishte ndihmësi im dhe unë do të isha i lumtur të isha i tiji”

Reagimi i mjeshtrit Ancelotti nuk ka vonuar, madje duke shtuar dozën e humorit. “Montella tha se do të donte të ishte ndihmësi im dhe unë do të isha i lumtur të isha i tiji. Do të drejtojmë nga një ndeshje secili. Duhet vetëm të gjejmë klubin që e pranon këtë”. Kaq ka mjaftuar që tifozët e Milanit të qeshin dhe të krijojnë plot “memes” në rrjetet sociale. Ancelotti, më pas, ka theksuar se nuk e ka ndërmend rikthimin.

“Tani jam me pushime dhe do të jem kështu për rreth 10 muaj. Nuk dua të kthehem më shpejt në detyrë, por brenda meje ende dua të stërvis çdo ditë, kështu që nuk mendoj se do të marr drejtimin e ndonjë skuadre kombëtare”.

Më shumë nga Futboll