Champions League

Ancelotti sulmon serbët: “Profesionistë” për kohën e humbur dhe simulimet

Carlo Ancelotti u shfaq i paduruar, teksa e quajti Crvena Zvezda-n “profesioniste” vetëm për të vonuar lojën dhe simuluar, pasi Napoli i tij barazoi 0-0 në ndeshjen e parë të grupit në Ligën e Kampionëve. Napoli dominoi posedimin e topit dhe dy herë goditi tranversën, por pa e vënë ndonjëherë portierin Milan Borjan nën presion të vazhdueshëm, në kryeqytetin serb, të martën.

Pra, skuadra e Ancelottit pati një fillim të frustruar, e cila përballet me një luftë të vështirë për t’u kualifikuar në Grupin C, ku bëjnë pjesë edhe Liverpool me PSG. Ancelotti është i bindur se skuadra e tij mund t’i kompensojë pikët e lëna në Beograd. “Ishte e pashmangshme që 15 minutat e fundit të ishin ndryshe, – tha Ancelotti për “Sky Sport Italia”.

– Kundërshtari ishte “profesionist” për kohën e shpërdoruar dhe simulimet. Vendësit luajtën të shtrënguar dhe ishin gjithmonë në kërkim të një faulli. Por, ky nuk është problemi. Duhet të kishim shënuar më parë. Ishim afër, na mungonte vetëm shkëndija e fundit. Kemi bërë pak gabime gjatë pasimeve, por ishim shumë të pafat”.

Ndërkohë që ka ende detyra më të vështira, Ancelotti me përvojë, tri herë fitues i Ligës së Kampionëve si trajner, paralajmëroi reagim ndaj rezultatit të së martës: “Ne nuk kemi fituar ende një ndeshje të rëndësishme, por nuk duhet të jemi aq negativë. Janë edhe pesë ndeshje për të shkuar në raundin tjetër dhe ne mund të mundim gjithkënd. Nuk kemi shënuar, është për të ardhur keq, por ishim shumë afër”.

Më shumë nga Champions League