Futboll

Anglezi që shëtiti botën: Futbollin më të shëmtuar e pashë në Superiore!

Kur guxojmë të shkruajmë se Superiorja nuk ka asgjë SUPER përveç emrit, kritikohemi dhe cilësohemi si tendenciozë. Sa herë ndonjë vlerësim vjen nga të huajt, atëherë shqiptari tkurret dhe kalon direkt në inferioritet, e pakuptimtë, por e vërtetë. Tashmë mund të çlirohemi nga damka e negativitetit, pasi më në fund vlerësimi vjen nga një person krejtësisht i jashtëm. Anglezi Matt Walker është i apasionuar pas futbollit, por nuk preferon të ndjekë nga stadiumi “big”-ët e futbollit botëror, por ekipet e vogla. Në sezonin e kaluar ai ka ndjekur nga stadiumi 79 ndeshje në 55 vende të ndryshme.

Anglezi ka vendosur që të rrëfejë në një libër me udhëtimet e tij, por së pari ka folur për sajtin so foot.com. Anglezi ka qenë i pranishëm dhe në Shqipëri ku ka ndjekur nga stadiumi ndeshjen ndërmjet Flamurtarit dhe Teutës. Takim ky që u mbyll 0-0 nën sytë e Walker që e pa nga shkallët e stadiumit “Flamurtari”. Vlerësimi për takimin ishte i tmerrshëm, në fakt real.

“E nisa vitin e shkuar, duke filluar nga kampionatet skandinave, ndërsa e mbylla në Ballkan. Ndeshja më e shëmtuar? Ka pasur shumë, ndeshjet shpesh ishin të mërzitshme, nivel i ulët. Megjithatë, ndeshja më e mërzitshme në absolut ishte një Flamurtari-Teuta, më 25 nëntor 2017. Ishte ndeshja më e shëmtuar që kam parë në jetën time, e tmerrshme. Pashë një përmbledhje prej 2 minutash më vonë, televizioni që e transmetoi ndeshjen 1 minute e shpenzoi me skuadrat që po dilnin nga tuneli i dhomave të zhveshjes, sepse nuk kishte raste fare për shënim”.

Ai ka treguar 3 ndeshjet më të bukura për të, ku ra në sy fakti se u përzgjodh një takim i kampionatit kosovar të futbollit. “Janë 3. E para një Trabzonspor-Antaliaspor, ishte 3-0 dhe mbaroi 3-4. Ndeshja e dytë ishte një befasi. Isha në Gjilan, në Kosovë, Drita mundi 4-3 Lirinë në një ndeshje spektakolare, pas ndeshjes skuadra pritëse me ftoi në dhomat e zhveshjes. Në Serbi pashë një tjetër ndeshje fantastike, Napredak fitoi 1-0 në shtesë ndaj Crvena Zvezda”.

Më shumë nga Futboll