• Antonio Marku, pas operacionit i qëndron pranë Vllaznisë

    Publikuar: 18 May 10:52

    Vetëm pak ditë më parë i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në meniskun e gjurit të tij të djathtë dhe aktualisht është në periudhën e rehablimitit, por Antonio Marku nuk mund të qëndrojë larg Vllaznisë. Sidomos në këto momente të vështira që ajo po kalon në këtë fundsezoni. Për këtë arsye, pasditen e djeshme ka qenë i pranishëm në stërvitjen e ekipit, ka marrë pjesë në analizën e zhvilluar dhe, po ashtu, ka ndjekur seancën stërvitore të tij deri në fund të saj. Kuptohet që ky sezon ka marrë fund për të, sepse i duhet edhe të paktën dy-tri javë për të nisur stërvitjen, megjithatë është gjithnjë pranë ekipit, për t’i dhënë mbështetjen e duhur shokëve të tij.

    Kemi të bëjmë me një sportist model për nga sjellja, por edhe ajo që ka dhënë gjithnjë në fushën e lojës, madje duke sakrifikuar jo pak në shumë ndeshje të zhvilluara. Këtë sezon ka qenë më shumë i pafat sesa duhej. Nëse sezonin e mëparshëm ishte futbollisti me më shumë ndeshje të zhvilluara tek kuqeblutë, në këtë aktualin, si rrjedhojë e dëmtimeve të njëpasnjëshme, ka luajtur më pak, duke menduar që ta shtynte ndërhyrjen kirurgjikale, por kjo nuk mundej. Rikthimi i tij në stërvitje me ekipin do të jetë i shpejtë, sepse koha e rikuperimit nuk do të jetë e madhe. Sezoni është mbyllur për të, duke shpresuar që të kenë ikur edhe problemet e dëmtimeve.


    Lexo postimet e tjera