Futboll

Apeli i UEFA-s konfirmon dënimin 2-vjeçar për Jashanicën, Skënderbeu e çon në CAS

Tjetër lajm negative për skuadrën e Skënderbeut e aq më shumë për mbrojtësin Bajram Jashanica. Ky i fundit, i dënuar me pezullim 2-vjeçar nga Komisioni i Disiplinës në UEFA për shkak se rezultoi pozitiv ndaj testeve anti-doping, nuk ka mundur të përfitojë asnjë reduktim të dënimit, pavarësisht apelimit dhe provave të vëna në dispozicion. Sot, Komisioni i Apelit në UEFA ka lënë në fuqi masën penalizuese, por gjithsesi, drejtuesit e klubit të Skënderbeut nuk dorëzohen. Përmes një komunikate për shtyp, klubi bardhekuq ka njoftuar se do të apelojë vendimin në CAS, me shpresën në reduktimin e dënimit të Jashanicës.

“Komisioni i Apelit i UEFA-s vendosi lënien në fuqi të masës disiplinore “pezullim nga aktiviteti” për një periudhë 2-vjeçare për lojtarin e KF Skënderbeut, Bajram Jashanica. Pavaresisht argumenteve dhe dëshmive të dhëna në seancë gjyqesorë nga ana e lojtarit dhe personave të tjerë të lidhur me çështjen, organi juridik vendosi mospranimin e kërkesës të paraqitur nga Bajram Jashanica për uljen e sanksionit.

Bëjmë me dije se aktualisht, palët janë në pritje për disponimin nga ana e Komisionit të Apelit të UEFA-s të vendimit integral, i cili do të ankimohet në CAS. KF Skënderbeu i ka ofruar lojtarit të gjithë mbështetjen e mundshme gjatë kësaj periudhe të vështirë për të dhe beson se masa disiplinore është disproporcionale me rrethanat e ngjarjes dhe me shkallën e përgjegjësisë të Bajram Jashanica. Për këtë arsye, në çdo formë dhe me të gjitha mjetet në dispozicion, do të kërkojmë vendosjen e një mase disiplinore më të ulët, për garantimin e vijueshmerisë së karrierës të lojtarit tonë”, citon komunikata e publikuar nga KF Skënderbeu.

Më shumë nga Futboll