• Apeli la në fuqi dënimin, Partizani akuzon rëndë FSHF-në

    Publikuar: 10 Mar 8:58

    Komisioni i Apelit ka lënë në fuqi dënimin prej 4 ndeshjesh pa tifozë të Partizanit, që e mori Disiplina javën e kaluar. Pavarësisht kontestimeve të fuqishme të klubit dhe tifozërisë së kuqe, ky organ juridik i FSHF-së nuk ka vepruar ndryshe. Partizani ka reaguar ndaj vendimmarrjes në fjalë, duke folur besnikëri servilësh ndaj eprorit: “Klubi i Partizanit “përshëndet” vendimin e Komisionit të Apelit, i cili ka lënë në fuqi të njëjtin denim, si edhe Komisioni i Disiplinës, me katër ndeshje pezullim. Përgëzojmë “besnikërinë” e servilëve, që janë punësuar dhe paguar në mënyrë direkte ndaj eprorit të tyre.

    Shpresuam dhe kërkuam drejtësi, duke u dhënë shansin për herë të fundit institucioneve të (pa)varura gjyqësore të futbollit, por sinjali i tyre ishte shqetësues për këtë sport në Shqipëri. Nuk dorëzohemi as për titullin kampion dhe as për të kërkuar futboll të ndershëm. Klubi i Partizanit garanton se titulli i sivjetëm do të jetë më i bukur, jo prej kohëzgjatjes nga trofeu i fundit, por sepse do t’i japim një leksion ndershmërie të gjithë këtij sistemi të kalbur, duke nisur nga drejtuesit e FSHF-së, punonjësit e tyre, që për një rrogë shesin edhe idealet, ashtu edhe të gjithë puthadorët e presidentit të federatës, që shpresojnë të marrin “dhurata” dhe tolerime. Partizani nuk është vetëm, por i gjithë shqiptarëve. Drejtësia vonon, por nuk harron!”


    Lexo postimet e tjera