Kampionati Shqiptar

Apolonia luan tenis me cërrikasit, Bylisi triumfon në Pogradec

U luajtën sot dy ndeshjet përmbyllëse të javës së 15-të, Kategoria e Parë. Të dyja ishin për llogari të Grupit B, ku kryeson Tirana dhe vijon marrshimin e sigurtë drejt rikthimit në Superiore. Në “Loni Papuçiu” të Fierit janë ballafaquar Apolonia dhe Turbina. Rezultati ka qenë tenistik, 5-1 në favor të vendësve. Në minutën e 32-të ka shënuar Mihana për 1-0, pastaj ka barazuar për 1-1 Eyoh, në minutën e 60-të, për cërrikasit. Më pas, gjithçka ka qenë e pabesueshme, me katër gola të tjerë në portën e udhëtuesve, të shënuar sipas kësaj kronologjije: Llambi 80’, Braka 84’, Andoni 90+1’ dhe Mihana 90+3’. Në Pogradec është luajtur sfida tjetër, mes liqenorëve vendas dhe Bylisit. Një betejë e luftuar, fati i së cilës është vendosur nga një gol i Muratajt, në minutën e 62-të. Kësisoji, mallakastriotët kanë dalë me tri pikë nga “Gjorgji Kyçyku” dhe vijojnë në vendin e dytë, në ndjekje të bardhebluve kryeqytetas, që janë shumë e vështirë të arrihen.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar