• Argjentina e Sampaoli-t do të jetë më “italiane”

    Publikuar: 4 May 8:29

    Jorge Sampaoli nuk humbet kohë. Në pritje që të zyrtarizohet kalimi i tij në drejtim të kombëtares së Argjentinës, trajneri duket se ka filluar që tani të mendojë për ndryshimet që duhen bërë te një ekip që është në kërkim të dëshpëruar të rimëkëmbjes. Ndryshime që janë zbuluar për “La Nacion” nga “disa burime shumë afër Sampaoli-t”, mes të cilëve janë edhe disa pjesëtarë të mundshëm të stafit teknik të “Albicelsete”-s. Sipas tyre, në fakt, do të jenë të paktn katër “italianë” mes lojtarëve që janë nën vëzhgim, duke filluar nga Mauro Icardi. Ndërsa nuk ka asnjë dyshim se, përveç Messi-t, në qendër të projektit do të jetë edhe Dybala.

    Me kalimin e Sampaoli-t në drejtim të bardhekaltërve duhet të hapen përfundimisht dyert e kombëtares për sulmuesin e Inter, i cili ka qenë deri tani viktimë e çështjeve që kanë lidhje me jetën e tij private. Presionet e mëdha të tifozëve Argjentinës, që e kërkojnë Mauriton prej shumë kohësh, të bashkuara me domosdoshmërinë e rinovimit dhe pëlqimin e vetë trajnerit, duhet ta ndihmojnë sulmuesin zikaltër që të rifitojë atë fanellë që deri më sot e ka provuar vetëm një herë për 8 minuta (tetor 2013 kundër Uruguait). Por në listën e Sampaoli-t dhe bashkëpunëtorëve te tij janë përfshirë emra të tjerë “italianësh”. I pari është verdhekuqi Leandro Paredes, dy të tjerët janë zikaltrit Ansaldi dhe Gomez i Atalanta-s, që po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm në Bergamo.

    Gjithsesi, për shkak të ndeshjeve të fundit që do të luhen për eliminatoret e Rusi 2018, rinovimi “albicleste” duhet të jetë gradual. Ndërkohë, mes “senatorëve” që rrezikojnë të mos jenë pjesë e kursit të ri, janë Mascherano, Lavezzi, Otamendi dhe Aguero. Për të kuptuar se te cilët lojtarë do të besojë trajneri i ri, do të duhet të pritet të paktën një muaj. Nga sa është thënë në ditët e kaluara, Federata Argjentinase e Futbollit duhet ta zyrtarizojë Sampaoli-n pas 21 majit, kur do të mbyllet edhe sezoni i Sevilla-s, që do të luajë ndeshjen e fundit në La Liga kundër Osasuna-s. Ndërkohë, dy ndeshjet e ardhshme të “Albiceleste” do të jenë dy miqësore kundër Brazilit dhe Singaporit, që do të zhvillohen në datat 9 dhe 13 qershor. Dy teste thelbësore për të përgatitur sfidat e dyfishta eliminatore kundër Uruguait dhe Venezuelas, që do të zhvillohen mes fundit të gushtit dhe fillimit të shtatorit, kur Argjentina nuk do të mund t’i lejojë më vetes hapa fals.

    [interaction id=”590b6f299c3d6790494ff7e1″]


    Lexo postimet e tjera