Futboll

Arlind Kalaja dëshiron të mbetet sërish te Vllaznia

Pavarësisht dëshirës për të tentuar vazhdimin e karrierës diku jashtë vendit, mesfushori Arlind Kalaja mesa duket do të vazhdojë të luajë edhe sezonin e ardhshëm me Vllazninë. 22 vjeçarit më 31 maj i ka përfunduar kontrata aktuale që ka patur me klubin e qytetit të tij dhe menaxherë të ndryshëm filluan ta ngacmojnë me oferta të ndryshme. Por vetë lojtari nga sa bëhet e ditur, ka ndër mend të luajë edhe një sezon tjetër në “Loro Boriçi”. Kjo është zbuluar nga ana e trajnerit Armando Cungu, i cili këto ditë ka marrë një mesazh nga vetë futbollisti për ta sqaruar për të ardhmen e tij.

“Në lidhje me zhurmën që u bë këto ditë për një largim të mundshëm të futbollistit Arlind Kalaja, unë di të them se kam marrë një sms nga ai ku më bën të ditur se asgjë nga ato çfarë shkruhen për të nuk janë të vërteta dhe ai do të vazhdojë të luajë për Vllazninë. Kaq informacion kam unë, për të tjerat pastaj i di vetë lojtari apo dhe drejtuesit e klubit”- ka thënë numri 1 i pankinës shkodrane. Natyrisht që duhet pritur edhe pak ditë për të mësuar të vërtetën në lidhje me këtë gjë. Edhe verën e vitit të kaluar, Kalaja ka tentuar të kalojë në futbollin italian por në fund kjo gjë nuk iu bë e mundur dhe u rikthye sërish në Shkodër. Aty ku mesa duket do të firmosë një kontratë tjetër për të luajtur edhe sezonin e ardhshëm me kuqeblutë.

Më shumë nga Futboll