Connect with us

Formula 1

Arrivabene: Ferrari e fortë pavarësisht zhgënjimit në Spanjë

Mund të them me bindje të plotë se sot kemi një makinë shumë, shumë të fortë, të shpejtë dhe konkurrente për titullin kampion në Formula 1”, ka deklaruar sot drejtori sportiv i Ferrarit, Maurizo Arrivabene, gjatë një interviste të dhënë për mediat italiane. Numri 1 i “kokëkuqes” ka bërë një përmbledhje të situatës pas 5 garave të para, duke u shprehur i kënaqur nga paraqitja në pistë edhe pse pranon se Ferrari mund të kishte edhe një fitore më shumë, atë të garës së fundit në Spanjë. “Disa situata jo fort të mira në garë na ndaluan fitoren, sidomos kur Bottas mbajti pas Vettel, por kjo është pjesë e lojës”, tha më tej Arrivabene.

Ferrari i Kimi Raikkonen gjate nje gare

Sipas shefit të makinës italiane, skuadra ka arritur të bëjë një punë të mirë muajt e fundit, duke sjellë në pistë një makinë fituese. Jo vetëm nga gara në garë, por Ferrari ka ndryshuar pamje nga dita në ditë, duke qenë kompetitive edhe atëherë kur nuk mendohej. “Ky do të jetë një kampionat i bukur, i fortë dhe i dueluar deri në garën e fundit. Pilotët janë të kënaqur nga makina dhe besoj se i kemi befasuar rivalët. Por kemi ende mundësi për përmirësim, për të bërë hapa të tjerë përpara, pasi çdo sezon ka surpriza e të papritura dhe ne duam t’i evitojmë ato. Fitorja e titujve do të ishte një shpërblim për punën e bërë gjithë këto vite”, tha Arrivabene.

Më shumë nga Formula 1