Formula 1

Arrivabene: Fitorja në Montreal e merituar, ecim të sigurtë deri në fund

Fundjava e kaluar në Montreal ishte me shumë luhatje për makinën Ferrari, e cila të premten kishte probleme, ndërsa të shtunën Vettel siguroi “pole position” dhe të dielën fitoi garën. “Djemtë, nga e enjtja bënë një punë të madhe, duke e përmirësuar rendimentin e makinës, duke bërë një punë të përkryer dhe rezultati u pa në garë. Ferrari është një skuadër e madhe, si në pistë ashtu dhe jashtë saj. Përqendrohemi dhe punojmë te problemet dhe më pas në pistë kemi një pilot të madh që fiton garën”, tha Arrivabene, drejtori sportiv i Ferrarit.

Shefi i “kokëkuqes” ka thumbuar disi pilotin tjetër të Ferrarit, Kimi Raikkonen, që në Montreal u klasifikua në vendin e gjashtë. “Nuk dha atë që pritej, por kampionati është i gjatë dhe jemi të qetë se do të arrijë te fitorja. Nuk ka pista të mallkuara apo të bekuara, ka pista ku duhet të fitosh. Ne shohim përpara me optimizëm dhe të arrijmë gjëra të bukura. Unë jam i sigurtë se Ferrari do të arrijë me sukses deri në fundin e sezonit”, tha Maurizio Arrivabene. Vettel, falë suksesit në Kanada mori kreun e renditjes botërore.

Më shumë nga Formula 1