Kampionati Shqiptar

Arsen Hajdari, një mundësi rikthimi te Vllaznia

Mesfushori i njohur shkodran, Arsen Hajdari, mund të kthehet sërish te Vllaznia. Ai, në gjashtë muajt e fundit, ka tentuar të luajë në futbollin italian, por nuk ia ka dalë dot.

Mesfushori i njohur shkodran, Arsen Hajdari, mund të kthehet sërish te Vllaznia. Ai, në gjashtë muajt e fundit, ka tentuar të luajë në futbollin italian, por nuk ia ka dalë dot. Për këtë arsye është rikthyer në Shkodër. Ditën e djeshme, madje, ka dalë në stërvitje me kuqeblutë dhe ka luajtur në ndeshjen miqësore kundër ekipit U-19 të Akademisë së Vllaznisë. Forma e tij përgjithësisht dukej e mire, megjithatë do të jetë stafi teknik që do ta testojë edhe për disa ditë të tjera, para se të marrë vendimin përfundimtar për të. Hajdari kujtojmë se para 2-3 sezonesh ka qenë një nga emrat më të spikatur të mesfushës shkodrane, por edhe të kampionatit shqiptar.

hajdari

Disa momente jo të mira që kaloi e bënë atë të largohej nga Vllaznia dhe sezonin e kaluar të luante me Besëlidhjen e Lezhës, teksa më pas provoi edhe futbollin italian. Gjithsesi, tani është rikthyer dhe ndoshta mund të jetë një alternativë më shumë për skuadrën shkodrane, për më tepër që ka mbetur një vend bosh në mesfushë, pas largimit të kosovarit Hoxha, sepse Hajdari luan pikërisht në të njëjtin pozicion. Megjithatë ,nuk duhet ngutur. 27 vjeçari e ka vetë në dorë këtë gjë. Nëse arrin të bindë Cungun, vendin te Vllaznia e ka gati.

arsen-2

Ndërkohë, në miqësoren e djeshme, me skuadrën shkodrane është aktivizuar në pjesën e dytë edhe një lojtar 19-vjeçar, i ardhur nga Italia. Bëhet fjalë për një futbollist me origjinë shkodrane, i cili luan si sulmues. Quhet Adriano Qosaj dhe paraqitja e tij e parë me kuqeblutë ka qenë e mirë, madje ka shënuar edhe gol, por kjo nuk do të thotë se e ka të sigurtë firmosjen. Përveç këtyre dy futbollistëve, në ditët e para të janarit në Shkodër priten të vijnë edhe të tjerë për provë. Shpresa është të gjenden lojtarët e duhur për gjysmën e dytë të sezonit.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar