Connect with us

Premier League

Arsenal-Leicester, “Dhelprat” kanë 23 vite që nuk i kapin rrushtë

Sezoni i ri i Premier League do të fillojë mbrëmjen e së premtes me ndeshjen Arsenal-Leicester, që do të zhvillohet në “Emirates Stadium”.

Arsenal
“Topçinjtë” kanë zhvilluar një tjetër kampionat zhgënjyes sezonin e kaluar, duke përfunduar jashtë katër vendeve të parë për herë të parë në 20 vite. Pavarësisht protestave të mëdha nga një grup i tifozëve të Arsenal, Arsene Wenger ka qëndruar në drejtim të ekipit dhe ka rinovuar kontratën e tij me dy vite të tjerë. Por e ardhmja duket pozitive për “Topçinjtë”, të cilët kanë arritur të marrin sulmuesin Alexandre Lacazette nga Lyon dhe mbrojtësin Sead Kolasinac nga Schalke me kosto zero. Dy blerje të rëndësishme që kanë përforcuar ndjeshëm sulmin dhe mbrojtjen. Ndërkohë, e ardhmja e Alexis Sanchez mbetet e pasigurt. Kiliani nuk do të luajë në këtë ndeshje për shkak se është bashkuar vonë me skuadrën.

Arsenal nuk ka humbur asnjë ndeshje të luajtur kundër Leicester në të gjitha kompeticionet që nga 1994: 11 fitore, 7 barazime

Leicester
Nga kampionë në luftë për mbijetesë. Kështu mund të përmblidhet sezoni i kaluar i Leicester. Gjithsesi, largimi i Claudio Ranieri ka shtyrë ekipin të bëjë disa paraqitje pozitive në ndeshjet e fundit, duke e mbyllur kampionatin në vendin e 12-të. Craig Shakespeare, i cili u bë trajneri i përkohshëm i skuadrës, është shpërblyer me një kontratë të re. “Dhelprat” kanë bërë disa blerje të rëndësishme në merkato. Emri më interesant është ai i ish-sulmuesit të Manchester City, Kelechi Iheanacho, i blerë për 27.7 milionë euro. Boshllëku i krijuar nga largimi i Kante verën e kaluar është mbuluar me marrjen e mesfushorit Vicente Iborra nga Sevilla.

Londinezët kanë fituar gjashtë ndeshjet e fundit që kanë luajtur në shtëpi kundër “Dhelprave”

Përballjet direkte
Arsenal nuk ka humbur asnjë ndeshje të luajtur kundër Leicester në të gjitha kompeticionet që nga 1994-a. Në 18 takimet e fundit, Arsenal ka marrë 11 fitore dhe 7 barazime. Gjithashtu, “Topçinjtë” kanë fituar gjashtë ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi kundër Leicester dhe janë të pamposhtur në 9 takimet e fundit me 8 fitore dhe 1 barazim.

Formacionet e mundshme
Arsenal (3-4-2-1): Cech, Holding, Mustafi, Monreal, Bellerin, Xhaka, Elneny, Kolasinac, Welbeck, Iwobi, Lacazette.
Leicester (4-4-2): Schmeichel, Simpson, Morgan, Maguire, Fuchs, Mahrez, James, Ndidi, Albrighton, Vardy, Okazaki.

Më shumë nga Premier League