La Liga

As Pogba dhe as Marcelo? Juventus bën gati planin 160 milionë euro

Real Madrid nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Marcelo, ndërsa për Pogba duhet mposhtur konkurrenca e fortë e Barcelona-s. Kështu, në shtëpinë e Juventus nuk është e mundur të injorohen zgjidhje alternative. Braziliani dhe francezi mbeten mes objektivave kryesorë për janarin dhe qershorin e ardhshëm, por nuk janë të vetmit.

Drejtuesit e bardhezinjve, Marotta dhe Paratici, po punojnë për një plan B. Mbrojtësi i krahut të majtë mbetet gjithsesi një përparësi edhe pse duhet pritur ndikimi që do të ketë Spinazzola në ekip. Gjithsesi, emrat e tjerë të listës janë ato të Felipe Luis, 33-vjeçari që duket se është drejt largimit nga Atletico Madrid, me këta të fundit që e vlerësojnë 30 milionë euro. Shumë për një lojtar që është në fundin e karrierës.

Marcos Alonso, nga ana tjetër është më i ri: 27 vjeç, në kulmin e pjekurisë së tij dhe protagonist i një fillimi shumë të mirë të sezonit me Chelsea-in e Sarri-t. Kosto e tij është 60 milionë euro, por duhen bërë llogaritë edhe me interesimin e Atletico dhe Real Madrid.

Për sa i takon mesfushës, ëndrra e madhe, me përjashtim të Pogba, është Milinkovic-Savic: Lazio kërkon 100 milionë euro, Lotito po negocion rinovimin, por bardhezinjtë nuk i kanë humbur shpresat për të siguruar shërbimet e serbit.

Sigurisht, është një operacion që ka më shumë mundësi të realizohet në qershor se sa në janar, por “Zonja” do të provojë. Alternativa tjetër vjen nga Parisi: Adrien Rabiot nuk ka rinovuar akoma me PSG-në dhe mbetet në shënjestrën e Juventus, por për të interesohen edhe Barcelona me Milan-in.

Më shumë nga La Liga