Futboll

Asambleja e Vllaznisë, miratohen të gjitha pikat e rendit të ditës

Shumë zhurmë për asgjë. Kështu mund të konsiderohet zhurma e bërë gjatë gjithë kësaj periudhe për mbledhjen e asamblesë së përgjithshme të klubit të futbollit “Vllaznia”. Ndonëse në mbledhjen e sotme pati diskutime, por edhe kundërshtime mbi punën e bërë, në fund të gjithë këshilltarët bashkiakë, që kanë qenë të pranishëm në sallë, të majtë, të djathtë, të qendrës apo të pavarur, kanë ngritur dorën, duke miratuar gjashtë nga shtatë pikat e rendit të ditës. E fundit, ajo e miratimit të disa ndryshimeve në statut, është lënë për në mbledhjen e ardhshme. Në fakt, edhe kjo mbledhje ka qenë pranë dështimit, ashtu si 20 ditë më parë, për shkak të mungesës së anëtarëve në sale. Megjithatë, pas disa minutash pritjeje, është bërë numri i duhur për të nisur mbledhjen.

Më pas, çdo gjë ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar. Në fillim ka qenë administratori i klubit, Astrit Gjyrezi, ai që ka lexuar një raport të përgatitur për situatën, më pas këshilltarët kanë bërë pyetje dhe kanë ngritur shqetësimet e tyre. Baza e këtyre diskutimeve ka qenë ajo se çfarë do të bëhet me të ardhmen e këtij klubi, sepse bashkia e ka të vështirë ta mbajë Vllazninë. Ka patur edhe kritika nga ana e këshilltarëve të veçantë për bilancin dhe gjëra të tjera, megjithatë në fund është dalë me vendimin e përbashkët, se puna për rregullimin e detyrave të lëna nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit tashmë ka nisur dhe kjo duhet të vazhdojë, në mënyrë që Vllaznia të funksionojë në bazë të të gjitha ligjeve në fuqi.

Kuptohet që një tjetër aspekt diskutimi ka qenë ai i humbjeve të mëdha në klub dhe kjo padyshim ka ardhur nga mungesa e të ardhurave nga stadiumi prej biletave dhe reklamave. Në fund, gjashtë pikat e rendit të ditës kanë marrë miratimin e shumicës së votave dhe çdo gjë është mbyllur si duhet. Kuptohet, krejt ndryshe nga klima e krijuar ditët e fundit, që fliste për “falimentim” apo “probleme të rënda” në funksionimin e klubit. Asambleja e sotme tregoi tjetër gjë dhe padyshim që kjo duhet vlerësuar. Natyrisht, në këtë mes kanë ndikuar edhe rezultatet e mira, që janë duke arritur të gjitha ekipet e klubit “Vllaznia”.

 

Më shumë nga Futboll