Kampionati Shqiptar

Asani nuk dorëzohet: Partizani duhet të besojë akoma te titulli

Partizani do të presë “djemtë e detit” në javën e 14-të të Superiores. Me rikthimin e Suljeman Starovës në krye të stolit të kuq është rikthyer edhe qetësia, falë rezultateve pozitive. Një nga lojtarët, të cilët po luan titullar me “Bobin” është edhe Jasir Asani, shqiptari nga Maqedonia, i ardhur merkaton e verës. Ai ka dalë sot para mediave në një konferencë për shtyp, ku ka folur për shumë gjëra.

Cilat janë përshtypjet tuaja pas pak muajsh me Partizanin?
Që kur erdha në fillim te Partizani e dija se më pret një punë e madhe në skuadër. Të gjithë lojtarët më kanë mbështetur dhe me kalimin e ditëve jam duke e kapur formën që më duhet të arrij.

Cilat janë pritshmëritë tuaja me skuadrën?
Unë kam miqësi me Ylber Ramadanin dhe Bujamin Shabanin, ish-lojtarë të Partizanit. Ata më kanë folur shumë për këtë skuadër dhe dëshira ime ishte të luaj dhe të kontribuoj për Partizanin. Jemi në një situatë jo të mirë në renditje, pasi Partizani duhet të jetë në vendin e parë, por besoj se të gjithë lojtarët e dinë që duhet të japim maksimumin.

Ju flisni për vendin e parë, por trajneri ka thënë se Partizani ka dalë nga ky objektiv…
Është ende faza e dytë për t’u luajtur. Është shumë shpejt për të thënë që kampionati ka mbaruar për ne, pasi jemi duke u ringjallur dhe fitoret po vijnë. Besoj se mund ta arrijmë vendin e parë, pasi për ne nuk ka mbaruar kampionati dhe të gjitha ndeshjet janë finale. Të dielën luajmë ndaj Teutës dhe do të japim të gjithë maksimumin.

Teuta nuk po kalon një formë të mirë, por “i mbytur të mbyt”. E shihni të vështirë sfidën me durrsakët?
Në çdo ndeshje do të japim maksimumin për të fituar, pavarësisht emrit të kundërshtarit dhe situatës që ai po kalon.

Ke luajtur mirë ndaj Skënderbeut, po ju pamë të mërzitur kur u zëvendësuat. E ndjeni se mund të luani gjatë 90 minutave?
Kur erdha, ditët e para, nuk isha në formën time më të mirë dhe m’u desh pak kohë që të arrija kondicionin e duhur, por tani forma do të vijë duke u rritur.

A ndiheni mirë në pozicionin ku luani?
Po, ndihem shumë mirë dhe jam i kënaqur. Gjithmonë kam luajtur në atë pozicion dhe mund të kthehemi atje ku duam.

Te Partizani pritet një sulmues nga Pelisteri. Duke qenë se e njihni, mund ta na thoni diçka?
Kam luajtur kundër Lukas, e njoh dhe është superlojtar. Besoj se do të na bëjë punë. Por, tani për tani duhet të mendojmë për ndeshjet e radhës.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar