• Asnjë masë për humbjen në Laç, Vllaznia mendon vetëm për Teutën

    Publikuar: 17 May 3:13

    Humbja në Laç i ka zhgënjyer të gjithë tifozët shkodranë dhe pa as më të voglin diskutim që shumica e tyre kanë menduar se kjo do të shoqërohej me mbledhje, analiza dhe gjoba për futbollistët. Por, në fakt, nuk do të ndodhë kështu. Drejtuesit e klubit dhe ata të stafit teknik janë marrë kryesisht me studimin e situatës së krijuar, duke menduar daljen nga ajo, si dhe me motivimin e futbollistëve për ndeshjen e radhës, me Teutën. Sipas asaj që ka vendosur FSHF-jat, do të luhet të shtunën, në orën 17:30, në stadiumin “Niko Dovana”, në të njëjtin orar me tri ndeshje të tjera të javës së parafundit të kampionatit. Kuptohet që një pikë ndaj durrsakëve do të qetësonte gjithçka në kampin kuqeblu, por problemi është se a do mundet Vllaznia ta marrë atë?

    Gjendja psikologjike e futbollistëve nuk është ajo më e mira e mundshme në këto moment. Për më tepër, Teuta do të jetë shumë e motivuar për ta fituar ndeshjen, sepse do të ishte ajo, që do t’i thoshte lamtumirë Superligës. Në këto rrethana, e vetmja rrugëzgjidhje për shkodranët është ta përgatisin si duhet këtë transfertë. Pse jo, të sigurohet edhe ndonjë shpërblim për skuadrën, apo edhe vënia në dispozicion e disa autobusëve për tifozët, në mënyrë që të udhëtojnë drejt Durrësit për ta mbështetur skuadrën e zemrës. Drejtuesit janë duke u munduar të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme që Vllaznia të mos i lërë gjërat për në ndeshjen e fundit me Tiranën, por ta sigurojnë qëndrimin në Superligë që këtë fundjavë.


    Lexo postimet e tjera