Futboll

Atletico apo Barça, Griezmann fikson datën e vendimit

Më pak se një javë dhe gjithçka do të jetë e qartë dhe e vendosur në mënyrë përfundimtare dhe zyrtare. Antonie Griezmann është një prej gurave të çmuar të kësaj merkato vere, pas një tjetër sezoni për tu vendosur në kornizë me Atletico Madrid, me kulmin te dygolëshi i shënuar në finalen e Europa League kundër Marseille. Sulmuesi francez dëshiron të udhëheqë përfaqësuesen e tij drejt trofeut të Kupës së Botës për të ëndërruar “Topin e Artë” dhe për të bërë këtë nuk dëshiron shpërqëndrime. Kështu, sulmuesi është gati të zyrtarizojë skuadrën për të cilën do të luajë sezonin e ardhshëm përpara, ndeshjes së parë që Franca do të zhvillojë në këtë Kampionat Botëror “Rusia 2018”, në program për të shtunën e ardhshme kundër Australisë.

Lajmin e konfirmoi vetë futbollisti në një intervistë të dhënë gjatë emisionit “Telefoot” në kanalin francez “TF1”: “Dëshira ime është që të përcaktoj të ardhmen time përpara se të startojë Botërori”. Gjithçka lë të mendosh se Griezmann, pasi iu afrua shansit që të bashkohet me Barcelonën, falë edhe superlativave të Leo Messi-t, ka vendosur të qëndrojë te Atletico, me të cilin është i lidhur nëpërmjet një kontrate që skadon në 2022, me klauzolë transferimi në shumën 200 milionë euro, por që do të reduktohet në 100 milionë nga data 1 korrik. Për të mbajtur yllin e tyre, bardhekuqtë duken gati për të rritur rrogën e francezit, përmes së cilës do të fitonte 14 milionë euro neto në vit. Në lidhje me këtë çështje u shpreh edhe trajneri i Francës Didier Deschamps, që gjithsesi mbeti evaziv: “Bazuar në atë që di, Antoine do të qëndrojë në Spanjë…”.

Më shumë nga Futboll