• Atletico-Leverkusen, Simeone pa portierin Oblak

    Publikuar: 13 Dec 7:17

    Kur vjen koha e betejave të mëdha, duhet të kesh gati “ushtarët” më të fortë. Fatkeqësisht, Atletico Madrid nuk do ta ketë këtë kënaqësi në dy përballjet e vitit të ardhshëm me Bayer Leverkusen-in, pasi portieri Jan Oblak nuk do të jetë në gjendje për të luajtur. Pas shortit në Nyon të Zvicrës, dje u zbuluan çiftet e fazës së tetësheve në Champions League, aty ku bardhekuqtë do të kenë përballë ekipin gjerman. Trajneri Diego Simeone do të vuajë mungesën 3-4 mujore të gardianit slloven, i cili u dëmtua në ndeshjen e fundjavës me Villarreal-in (humbje 3-0).

    23-vjeçari mori një goditje të fortë në shpatullën e majtë kundër “Nëndetëseve” dhe la lojën pas 40 minutash lojë. Shtatlarti u detyrua të operohej dhe është zyrtarisht mungesë e nënkampionëve të Evropës për sfidat që do të zhvillohen më 21 shkurt në Leverkusen dhe më 15 mars në Madrid. Atletico tani e sheh veten në vendin e gjashtë në La Liga, pozicion i mjaftueshëm vetëm për kualifikimin për në Europa League. Villarreal, nga ana tjetër, arriti në kuotën e 26 pikëve për të kapur vendin e katërt, që ndez dritën jeshile për Champions League-n.


    Lexo postimet e tjera