Connect with us

Bundesliga

Aubameyang pendohet për deklaratat e janarit

Pierre-Emerick Aubameyang e ka marrë mësimin. Ai nuk flet më për largimin e mundshëm nga Borussia Dortmund në verën e ardhshme. Gabonezi e ka qepur gojën dhe vështirë se do të komentojë për spekulimet deri në fund të sezonit. Së fundmi, në eventin e një sponsori në Londër, 27-vjeçari tha: “Aktualisht po përqendrohem te sezoni aktual dhe nuk dua të mendoj shumë për merkaton. Kam kaluar disa javë të vështira pas deklaratave të mia të fundit, kështu që më mirë të mos flas.”

Në janar, Aubameyang, kontrata e të cilit në “Signal Iduna Park” përfundon në vitin 2020, edhe një herë dha sinjale largimi. Duke folur për një radio franceze, ai u shpreh: “Është e qartë se, nëse dua të arrij në një nivel tjetër, në verë duhet të largohem. Jam 27 vjeç. Shohim se çfarë ofertash do të kem dhe se ku do të luaj.” Fjalitë e ish-milanistit nuk i kanë pëlqyer aspak trajnerit Thomas Tuchel, i cili e pati kritikuar publikisht sulmuesin. “Këto deklarata nuk sjellin asgjë të mirë. Duheshin kursyer.” Epo, fjalët u dëgjuan!

 

Më shumë nga Bundesliga