• Badstuber drejt Schalke 04, ja ç’thotë Weinzierl

    Publikuar: 9 Jan 3:17

    Holger Badstuber po stërvitet fort në Katar, aty ku Bayern po përgatitet për fazën e dytë të sezonit, por mbrojtësi gjerman vështirë se do të gjejë vend në formacionin titullar të skuadrës. Trajneri Carlo Ancelotti ka tri alternativa para tij, Mats Hummels, Jerome Boateng dhe Javier Martinez. Kjo është arsyeja pse 27-vjeçari ka kërkuar largimin. Sipas revistës “Sport Bild”, destinacioni i ardhshëm i qendërmbrojtësit pritet të jetë Schalke 04.

    Pas dëmtimit të kapitenit Benedikt Höwedes, në Gelsenkirchen kanë nevojë për përforcime dhe Badstuber mund të jetë një zgjidhje e menjëhershme. Trajneri i “Mbretërorëve blu”, Markus Weinzierl, së fundmi komentoi: “Ai ka cilësi dhe është një lojtar me përvojë. Nuk e di nëse ky transferim do të ndodhë. Sigurisht, mund të them se po shohim nëse ai mund të bëhet lojtari ynë.” Badstuber është lidhur edhe me skuadra si Manchester City dhe Wolfsburg.

    Kontrata aktuale e shtatlartit në Mynih përfundon në qershorin e ardhshëm. Plani i hierarkisë bavareze është që ai të rinovojë me një vit dhe pastaj ta huazojë te një skuadër e përshtatshme. Schalke 04 është një mjedis i mirë për çdo futbollist, sidomos për një ish-lojtar të kombëtares gjermane. Kështu, Badstuber nuk ka pse të largohet nga Bundesliga. Për të, faktikisht, interes ka shfaqur edhe Hamburger SV, skuadra e re e Mërgim Mavrajt.


    Lexo postimet e tjera