Kampionati Shqiptar

Bakaj: Të mundim Teutën, pastaj mendojmë vendin e katërt

Ardhja e Elis Bakajt në Shkodër, natyrisht që ka gëzuar tifozët kuqeblu, të cilët kishin besim tek vlerat e tij.

 

Ardhja e Elis Bakajt në Shkodër, natyrisht që ka gëzuar tifozët kuqeblu, të cilët kishin besim tek vlerat e tij. Ashtu siç kishte edhe skeptikë, që mendonin se kishte ardhur “sa për të kaluar radhën”. Bakaj, megjithatë, po tregon me lojën dhe golat e tij se shumë shpejt u shndërrua në një pikë referimi te Vllaznia. Ai deri më tani ka arritur të shënojë 4 gola në 6 ndeshje kampionati dhe kuptohet se mund të shënojë edhe më shumë në të ardhmen. Por, vetë lojtari nuk ka dëshirë të bëjë plane, prandaj thotë:

“Do të mundohem të bëj më të mirën dhe nuk dua të mendoj se sa gola do të shënoj. Kam thënë se e kam marrë me shumë dëshirë këtë përvojë të re dhe dua ta çoj me sukses deri në fund. Vllaznia ka një ekip të mirë,ndonëse shumica janë djem të rinj dhe pa përvojë, megjithatë shumë premtues për të ardhmen. I vetmi problem për ta është se duhet të besojmë më shumë te vetja e tyre, se i kanë mundësitë për këtë. Ju siguroj se skuadra jonë ka për të qenë deri në fund në garë për vendin e katërt dhe, ndonëse do të jetë shumë e vështirë, do të tentojmë. Kuptohet, duke vlerësuar në maksimum çdo ndeshje, sepse ndryshe situata mund të na kthehet kundër pastaj”.

Ndërkohë i pyetur në lidhje me takimin e radhës, ndaj Teutës, që do të luhet ditën e diel në stadiumin “Loro Boriçi”, sulmuesi kryeqytetas ka deklaruar: “Ndeshja me Teutën është duke u vlerësuar maksimalisht nga ana jonë, sepse dihet që ka një rëndësi të madhe për ecurinë tonë të mëtejshme. Kuptohet që do të hyjmë në fushë me objektivin e vetëm për të fituar, ashtu siç kemi bërë çdo ndeshje tjetër dhe jam i bindur se do t’ia dalim me sukses”.

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar