Kampionatet në Europë

Bale dhe Benzema të trishtuar te Reali? Ja si përgjigjet Zidane…

Zinedine Zidane u shfaq para mediave, në prag të ndeshjes së radhës në La Liga, që të bardhët do ta luajnë kundër Athletic, të mërkurën (21:30). Trajneri francez foli për Bale dhe Benzema, si dhe iu referua deklaratave të disa lojtarëve, në të cilat ka parë “antimadridismo”.

Ndeshja kundër Athletic…
Gjëja më e rëndësishme është të përpiqemi të rimarrim vendin e dytë, ky është qëllimi. Dhe ne do të përpiqemi të luajmë mirë.

Deklaratat e UEFA-s për kërcënimet e arbitrit…
Ne kemi folur për këtë. Unë nuk jam këtu për të folur më shumë për këtë temë. Fola ditën e ndeshjes dhe tani duhet të mendojmë për nesër. Për këtë jemi më të interesuar.

A e përkrahni pezullimin e një ndeshjeje, nëse himni është duke u vërshëllyer?
Unë nuk jam ai që do ta vendosë këtë, ka njerëz që punojnë për këtë. Jam i interesuar për atë që do të bëjmë në ndeshjen tonë. Pjesa tjetër nuk më intereson.

A keni frikë se ajo që ka ndodhur kundër Juventusit mund të ndikojë tek arbitrimi në gjysmëfinale, ndaj Bayern Munich?
Kam folur për këtë ditë të tjera. Ne do të bëjmë punën tonë dhe gjyqtari të tijën. Unë nuk do të komentoj. Të gjithë do ta bëjnë punën e tyre, jam i bindur për këtë”.

A i shihni Bale dhe Benzema të trishtuar? A do të rrezikohet prania e tyre sezonin e ardhshëm?
Unë nuk besoj. Ky është futboll. Ne jemi në të njëjtin ekip, kemi nevojë për të gjithë lojtarët. Unë nuk i shoh ata të trishtuar. Ata janë duke u trajnuar mirë. Sigurisht, të dy do të dëshironin të shënonin më shumë gola, por, përveç kësaj, të gjithë po punojnë mirë. Do të ndodhë gjithmonë. Ka momente të formës së mirë të lojtarëve të tjerë dhe kjo është ajo, që po përjetojmë. Ka shumë lojtarë të mirë në këtë ekip dhe unë duhet ta vlerësoj këtë, gjithashtu.

Arturo Vidal, i dëmtuar?
Është një problem i Bayernit, ai është një lojtar i rëndësishëm. Ai është lënduar, por nuk do të ndryshojë asgjë, Bayerni është i njëjti. Ka një skuadër shumë të gjatë, me lojtarë të rëndësishëm. Do ta zëvendësojnë mirë Vidalin.

Shumë flasin për “antimadridizmin”. A është folur për këtë në dhomat e zhveshjes?
Jo, aspak. “Antimadridizmi” ka ekzistuar gjithmonë. Problemi është anasjelltas, çdo ditë ka më shumë “madridistë”, besoj në këtë. Është klubi më i mirë, klubi me më shumë tifozë. Kjo gjë zgjerohet çdo ditë, më mirë flasim për gjërat pozitive.

Njëqind fitore me Real Madridin në një kohë të shkurtër. Çfarë mendoni ju për këtë?
Jam i lumtur që e kam arritur këtë numër, sepse jo të gjithë munden. Jam me fat që gjendem në një klub të madh. Qëndroj me këmbët në tokë, gjithsesi, i etur për më shumë fitore, sepse kjo është ADN-ja e këtij klubi.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionatet në Europë