Champions League

Barazim me gola në Torino, “feston” Tottenham…

Mbyllet në barazim 2-2 sfida e parë për 1/8-t e finaleve me Juventus dhe Tottenham, luajtur në Torino. Kampionët e Italisë shënuan dy gola në tetë minutat e para, por anglezët reaguan duke shmangur humbjen dhe tanimë janë favorit për ndeshjen e kthimit. Në një sfidë epike dhe të mbushur me emocione pati lavdi për qendërsulmuesit Higuain dhe Kane, teksa barazimi u vendos me një goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë “inteligjente” nga Eriksen.

Juventus pati fillimin e ëndërruar pasi shënoi dy gola në harkun e tetë minutave. Gonzalo Higuain vuri rekordin me dygolëshin më të shpejtë në historinë e Champions League. Pas dy minutash lojë argjentinasi shënoi me një kthesë të befasishme, pas pasimit të marrë nga Pjanic, ndërsa gjashtë minuta më vonë ai tundi rrjetën me penallti, si rrjedhojë e faullit që Davies shkaktoi ndaj Bernardeschi. Përgjigja e Tottenham erdhi dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë me anë të Harry Kane.

Qendërsulmuesi kaloi edhe Buffon dhe më pas shënoi me portën e boshatisur golin e tij të shtatë në këtë edicion të Champions League, dy më pak se Cristiano Ronaldo golashënuesi më i mirë. Kane barazoi rekordin e Gerrard si anglezi i vetëm që kishte shënuar shtatë gola në një edicion të Champions, me Liverpool në vitin 2008. Kane ka shënuar 33 gola në të gjitha veprimtaritë gjashtë këtij sezoni, më shumë se çdo lojtar tjetër në Europë. Goli i Kane ndali pathyeshmërinë e portierit të Juventus që zgjaste prej 697 minutash.

Juve humbi mundësinë për të mbyllur llogaritë në minutën e fundit të pjesës së parë kur Higuain humbi penalltinë e dytë të dhënë për bardhezinjtë, duke e përplasur topin në traversë. Tottenham nuk hoqi dorë nga sulmi dhe mori barazimin e merituar, 18 minuta para fundit. Cristian Eriksen shënoi me goditje dënimi golin e barazimit 2-2, duke përfituar edhe nga ai që mund të quhet gabim i portierit Buffon, i cili nuk mbrojti shtyllën e tij. Në “Allianz Stadium” mbyllet në barazim 2-2 dhe skuadra çerekfinaliste do të vendoset në sfidën e kthimit në Londër, më 7 mars, në “Wembley”.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Champions League