Kombëtarja

Barazuam me Jordaninë, por fituam Grezdën dhe Uzunin

Barazuam me Jordaninë, por fituam Grezdën dhe Uzunin

Kristian Panucci pati mundësi, që në prag të ndeshjes zyrtare me Izraelin, të zhvillonte një takim miqësor, atë të një dite më parë me Jordaninë, për të provuar lojtarë të rinj në skuadër por edhe për të zbatuar një skemë të re, atë me tre qendra në mbrojtje. Në fakt, për këtë të fundit, Jordania nuk ishte ekipi më i mirë i mundshëm për të vënë në provë Mavrajn me shokë, pasi sulmi i skuadrës aziatike bëri shumë pak për të rrezikuar portën e Etrit Berishës.

Por pavarësisht skemës dhe mungesës së qartësisë në skuadër, nga ndeshja me Jordaninë vlen të veçohet një element i rëndësishëm. Paraqitjet e Eros Grezdës dhe Myrto Uzunit të japin shpresë. Të dy luajtën përkatësisht nga një pjesë loje, duke dhënë maksimumin në skuadër. Grezda ishte i zhdërvjellët në fushën e lojës, lëviz në çdo krahë dhe mundohet të mbajë skuadrën në sulm.

Futbollisti i Rangers, edhe pse nuk ka gjetur akoma vendin e titullarit në Skoci, me paraqitjen ndaj Jordanisë ka hedhur një hap të rëndësishëm në këtë aspekt. Në fakt këtë e pranoi dhe vetë futbollisti, që duket se ka marrë dhe bekimin e Steven Gerrard, se pas kthimit nga ndeshjet e kombëtares, do të jetë titullar me Rangers.

Për Myrto Uzunin ka vetëm lëvdata, tërhoqi vëmendjen e të gjithëve me paraqitjen e tij. Tentoi portën, goditi shtyllën dhe vrapoi si i tërbuar për aq kohë sa luajti. Ky është i vetmi lajm pozitiv që mund të na gëzojë nga ndeshja me Jordaninë, pasi kemi fituar dy sulmues që premtojnë shumë, i pari rikthehet pas një dëmtimi të gjatë dhe i dyti një “zbulim”, që pritet të jetë “asi” nën mëngë i trajnerit, pse jo titullar që në ndeshjen ndaj Izraelit.

Më shumë nga Kombëtarja