Champions League

Barça, 50 milionë arsye për të mbështetur St. Liege në Champions

Barcelona është tifoze me Standard Liege. Arsyeja? De Jong. Sipas panjolles “sport.es”, dy klubet kanë një marrëveshje. Nëse Ajax nuk do të kualifikohet në fazën me grupe të Champions League, talenti holandez do të shkonte te katalanasit për “vetëm” 50 milionë euro.

PAKTI – Belgët kanë barazuar 2-2 në ndeshjen e parë të ruandit të tretë kualifikues dhe janë akoma në lojë. Sigurisht, ata duhet të fitojnë në Holandë (ose të barazojnë 3-3). Gjithsesi, 21-vjeçari ka një kontratë deri në 2022-in dhe Ajax synon ta mbajë në ekip edhe për të paktën një vit.

Por nuk do të jetë e lehtë, sepse lojtari ka një dëshirë të madhe për të veshur fanellën e Barçës dhe të luajë në krah të Messi-t. Atëherë? Overmars ka gjetur marrëveshjen me spanjollët: De Jong do të largohet këtë verë, nëse Ajax eliminohet nga Champions League. Përndryshe do të shkojë në Spanjë në sezonin 2019/20.

TË ARDHURAT – Ajax-i, nga ana tjetër, nuk mund t’i lejojë vetes shitje të tjera, përndryshe rrezikon ta dobësojë akoma më shumë skuadrën. Dhe ekonomikisht është (pothuajse) në rregull. Ka shitur Justin Kluivert dhe kualifikimi në fazën me grupe të Champions League do t’i garantonte të ardhura të tjera të rëndësishme.

Por, nëse siç shpreson Barcelona, Standard Liege do të bëjë mrekullinë, situata do të ndryshonte. Në atë pikë, Ajax do të kërkojë të mbulojë humbjen ekonomike që do të krijohej nga mungesa e Champions League dhe do të ishte i detyruar ta shiste talentin. Për këtë arsye në Spanjë janë bërë tifozë me St. Liege: asgjë antisportive, thjesht biznes.

Më shumë nga Champions League