La Liga

Barça kap kreun kundër Sevilla-s, por humb Messi-n

Ka qenë një fitore me shije të hidhur ajo që Barcelona ka marrë sot në mbrëmje kundër Sevilla-s, në javën e 9-të të kampionatit spanjoll. Një fitore 4-2 që ka ardhur pas 3 barazimesh dhe një humbje të marrë në katër takimet paraardhëse të luajtura nga skuadra e Valverde në La Liga dhe që ka dërguar katalanasit në vendin e parë të renditjes.

Shija e hidhur ka mbetur nga dëmtimi që ka pësuar Leo Messi në pjesën e parë të takimit, me argjentinasin që ka qenë i detyruar të zëvendësohet në minutën e 26-të për shkak të një dëmtimi të pësuar në krahun e djathtë pas një rrëzimi të keq në fushën e lojës. Vendin e tij e ka marrë Ousmane Dembele.

Gjithsesi, argjentinasit i kanë mjaftuar ato pak minuta që ka qenë në fushë për të qenë vendimtar. Në minutën e 2-të ka dhënë një pasim për Coutinho-n, i cili ka mposhtur portierin Vaclik me një goditje të bukur me të djathtën brenda zonës së rreptësisë. Dhjetë minuta më pas ka qenë vetë Leo që ka shënuar golin e dytë pas një pasimi të bukur të marrë nga Suarez.

Uruguaiani ka qenë protagonist edhe në pjesën e dytë, duke realizuar golin e tretë të Barcelona-s në minutën e 63-të me penallti. Një lajm i mirë ky për sulmuesin, i cili nuk shënonte që nga 15 shtatori i kaluar, kur “blaugranat” kanë mundur 2-1 Real Sociedad në transfertë, në javën e katërt të La Liga-s. Miqtë kanë reaguar 11 minuta para fundit, duke ngushtuar diferencat në 3-1 me Sarabia-n, por vendasit janë kundërpërgjigjurmenjëherë me Rakitic, që ka shënuar golin e katërt për ekipin e Valverde. Në minutat e fundit ka patur kohë edhe për golin e dytë të Sevilla-s, që ka shënuar me Muriel. Kjo ka qenë humbja e parë e pësuar nga Sevilla pas katër fitoresh radhazi të marra në kampionat. Ata mbajnë vendin e tretë në renditje me 16 pikë.

Në fund, mbetet për t’u kuptuar serioziteti i dëmtimit të numrit 10 të katalanasve, të cilët do të kthehen në fushë në mesjavë për t’u ndeshur me Inter-in në Champions League dhe fundjavën e ardhshme do të presin Real Madrid në “Camp Nou”. Sfida këto që do të bëheshin akoma më të vështira për Barçën pa Leo Messi-n.

Më shumë nga La Liga